Tensionet dhe incidentet e shënuara gjatë protestës së fundit kanë sjellë reagime të forta nga gazetarët e terrenit, të cilët kanë analizuar sjelljen e forcave të rendit, mbrojtjen e bizneseve dhe një ngjarje të paprecedentë të regjistruar pranë selisë së Partisë Socialiste.
Gazetari Mariglen Kume në MCN Live ka shpjeguar vështirësitë me të cilat përballen mediat gjatë menaxhimit të turmave nga ana e uniformave të kaltra, duke vënë theksin te rreziqet aksidentale, si dhe ka zbardhur prapaskenat e sulmit ndaj selisë së partisë në pushtet.
Policia është në aksion për të shpërndarë turmën dhe shpeshherë nuk arrihet të identifikohet që janë dhe grupet e xhirimit të cilët aksidentalisht bëhen pre e këtyre goditjeve nga ana e policisë. Sporadike, të pakta, por ka ndodhur. Sikundër, jo se dua ta justifikoj, por grupet e xhirimit kur janë në mes të turmës jemi njësoj si turma e protestuesve. Bizneset tashmë kanë gjetur një strategji që jo vetëm solidarizohen duke mbyllur qepanat dhe e shoqërojnë me shkrim që jemi me ju, por ka dhe nga ata që me polici private apo diplomaci të ruajnë biznesin e tyre nga turma që gjuajnë. E veçanta sot shihet ajo që ndodhi te PS ku pati një sulm. Është një aksion që ka nisur sot rreth orës 12:30. Personat që dolën nga selia e PS në drejtim të protestuesve janë nga radhët e IMT-së. Rigers Sheqeri i IMT-së, drejtuesi i grupit të maskuar që dolën nga selia e PS-së.
Nga ana tjetër, gazetari Xhevahir Zhabina e ka cilësuar këtë zhvillim si një alarm të madh për sigurinë dhe ka kërkuar llogari të menjëhershme nga Policia e Shtetit për praninë e zyrtarëve civilë në mesin e përplasjeve.
Personi i IMT që del nga selia e PS është person i rëndësishëm, prandaj i duhet kërkuar më shumë llogari policisë. Sepse nëse janë oficerë të policisë apo civilë, është ngjarja e parë e një përplasjeje mes civilëve dhe protestuesve. Personi që identifikojmë nuk është pjesë e strukturave të policisë dhe kjo e fundit duhet ta sqarojë. Kam përshtypjen se kjo ngjarje do t'i ndezë më shumë gjakrat e protestuesve.



