SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë zhvilluar kontrolle dhe sekuestrime në disa ambiente të lidhura me biznesmenin Klodian Allajbeu.
Kontrollet janë ushtruar në spitalin “Evita”, rrjetin e laboratorëve “Cambridge” si edhe në “Equos Resort”.
Burime bëjnë me dije se gjatë kontrolleve janë sekuestruar kompjuterë, servera dhe kamera sigurie, të cilat konsiderohen prova të rëndësishme për hetimin në zhvillim.
Pas kërkesës së bërë një ditë më parë nga vetë biznesmeni Allajbeu për kthimin e materialeve të sekuestruara, edhe kompanitë në të cilat u kryen kontrollet kanë paraqitur kërkesë për kthimin e provave të marra nga SPAK dhe BKH.
Ndërkohë, hetimet vijojnë dhe pritet që autoritetet të sqarojnë më tej arsyet dhe objektin e plotë të kësaj procedure.



