
Më shumë se 500 refugjatë janë larguar nga një qendër pranimi në një qytezë afër Romës. Ky është veprimi i parë kundër refugjatëve prej ardhjes në pushtet të qeverisë populiste, e cila ka sjell ligje të ashpra për imigracionin.
Tridhjetë njerëz u dëbuan nga qendra, e dyta më e madhe e këtij lloji në Itali në vendin ku Papa Françesku lau këmbët e banorëve si pjesë e ritit të tij të Pashkëve në 2016, në Castelnuovo di Porto. 75 të tjerë u hoqën të mërkurën, dhe 430 të mbetur u dëbuan para mbylljes së qendrës më 31 janar.
Kjo masë është pjesë e miratimit të “Dekretit të Salvinit”, i emëruar sipas ministrit të brendshëm, Matteo Salvini. Ai ka thënë se kjo qendër refugjatësh, në të cilën janë strehuar rreth 8 mijë persona në tetë vjetët e kaluar, është fole e drogës dhe krimit dhe se i njëjti fat i pret edhe dy mijë të strehuar të tjerë në një qendër tjeter që ndodhet në Sicili.
Ministri italian ka thënë se mbyllja e këtyre qendrave ia kursen buxhetit të Italisë gjashtë milionë euro në vit, të cilat do të shpenzohen për t’i ndihmuar italianët. “Unë e bëra atë që do ta bënte secili baba i mirë do ta bënte”, ka thënë ai.
Salvini ka thënë se ata që "kanë të drejta" nuk do të mbeten të bllokuar dhe në vend të kësaj do të zhvendosen në "struktura të tjera më të bukura". "Ata do të kenë të drejtën të banojnë në shtëpi" tha ai. "Por për pjesën tjetër ne do të fillojmë procesin e deportimit".
Kryetari i qytezës Castelnuovo di Porto ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë paralajmërim nga autoritetet për këtë veprim. Burra, gra dhe fëmijë janë ndarë në grupe dhe janë transportuar me autobusë drejt vendeve të panjohura. Disa refugjatë janë strehuar nga banorët lokalë. Ndaj këtyre veprimeve ka reaguar Rossella Muroni, e cila është anëtare e partisë së vogël majtiste “Liri dhe Barazi”, e cila ka bërë përpjekje për ta ndalur një autobus.
Shumica e refugjatëve të larguar ishin në procesin e aplikimit për azil. Disa prej tyre kishin marrë mbrojtje humanitare, që ua jep të drejtën e qëndrimit në Itali për dy vjet. E drejta për mbrojtje humanitare, e cila ua jepte refugjatëve edhe të drejtën për të punuar, tashmë është shfuqizuar nga Salvini.
Dëbimet erdhën pasi Gjermania njoftoi se po dilte nga Operacioni Sophia i BE-së, një mision detar që synonte trafikimin e qenieve njerëzore në Mesdhe, për shkak të refuzimit të Italisë për të lejuar migrantët të zbresin në portet e saj.



