
Turqia dhe Rusia do të diskutojnë heqjen e milicisë kurde nga qytetet veriore siriane të Manbij dhe Kobani gjatë bisedimeve në Soçi javën e ardhshme, tha Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.
Turqia ndaloi ofensivën e saj ushtarake në verilindje të Sirisë pasi Presidenti Tajip Erdogan ra dakord të enjten pas bisedimeve me nënkryetarin e SHBA-së Mike Pence, për një armëpushim pesëditor për të lejuar që YPG të tërhiqej nga një "zonë e sigurt" që Ankaraja synon të vendosë pranë kufirit të saj.
Armëpushimi synon gjithashtu të lehtësojë një krizë të shkaktuar nga vendimi i papritur i Presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr 1000 trupat amerikane nga Siria veriore, një veprim i kritikuar në Uashington dhe gjetkë si një tradhti ndaj aleatëve kurdë që kishin luftuar për vite të tëra përkrah trupave amerikane kundër shtetit islamik.
Lëvizja e Trumpit do të thotë gjithashtu se shtrirja e ambicieve të Turqisë në rajon ka të ngjarë të përcaktohet nga Rusia dhe Irani, vende të cilat mbështesin presidentin sirian Bashar al-Asad dhe po kërkojnë të mbushin vakumin e krijuar nga tërheqja e SHBA-së.
Asadi ka vendosur forcat e tij në territorin e mbrojtur më parë nga Uashingtoni, i ftuar nga kurdët. Erdogan, i cili ka mbështetur rebelët që luftojnë për të hequr Asadin, ka thënë se Turqia nuk ka asnjë problem me forcat e qeverisë siriane që vendosen pranë kufirit.
Duke folur në një intervistë me transmetuesin Kanal 7 të Dielën, Cavusoglu tha se bisedimet urgjente midis Erdogan dhe Vladimir Putin të Rusisë do të zhvillohen javën e ardhshme.
Ndërsa Erdogani dhe Putini kanë krijuar lidhje të ngushta mbi mbrojtjen dhe bashkëpunimin energjetik, Moska ka thënë se sulmi turk në Siri ishte "i papranueshëm" dhe duhet të jetë i kufizuar.
Erdogani tha të shtunën se ai do të diskutojë vendosjen e ushtrisë siriane në veri të Sirisë me Putin, duke thënë që të dy duhet të gjejnë një zgjidhje për çështjen, por paralajmëroi se " do të vazhdojnë të zbatojnë planet e tyre" nëse një zgjidhje nuk arrihet. /Reuters/



