Tregu Agroushqimor në Tiranë ka qenë disa herë një nga pikat kryesore të AKU-së gjatë kontrolleve të kryera për të garantuar sigurinë ushqimore. Disa nga shkeljet kryesore që ka konstatuar trupa inspektuese e AKU kanë qenë kushtet e rënda higjieno-sanitare, si dhe tregtimi i produkteve të qumështit, djathit apo gjizës jashtë standardeve ligjore. Por sa ka ndryshuar kjo situatë nga kontrollet e kryera e deri më sot?
Gjatë një vëzhgimi të kryer në tregun argro-ushqimor vërehet se kushtet e tregtimit të disa produkteve vijojnë të mbeten të njëjtat. Kamera e televizionit Tema ka filmuar ambientet në të cilat shiten frutat dhe perimet, por situata është më e rënduar kur sasi të konsiderueshme ullinjsh tregtohen nëpër tezga në rreze të diellit, duke mos plotësuar asnjë kusht higjenik, pasi ekspozohen drejtpërdrejt ndaj rrezikut të mikrobeve, pluhurit që krijohet nga furgonat që furnizojnë tregun apo plehrat që i shikon kudo. Kjo mënyrë tregtimi është e njëjtë edhe në tregun e Pazarit të Ri, ku ullinjtë shiten nëpër tezga në kushte aspak të përshtatshme për të garantuar cilësi ushqimore.
Në një kohë kur temperaturat janë në kulmin e tyre, situata bëhet më alarmante te produktet e qumështit dhe pyetja që shtrohet është se a mbahen në ambiente të sigurta kur këto produkte tregtohen?! Në tregun agroushqimor shikohen qartë fuçitë e vogla me djathë dhe gjizë, apo bidona me qumësht që tregtohen në temperatura të larta dhe aspak normale, mes pluhurit e papastërtive. Edhe produktet e tjera si frutat apo perimet nuk janë të standardeve të duhura sepse mbahen në tokë apo mes diellit, për pasojë ato humbasin cilësinë e tyre.
Ashtu si në tregun agroushqimor edhe në Pazarin e Ri, pavarësisht kontrolleve dhe masave të ndërmarra, mënyrë tregtimi jo vetëm që shkel detyrimet ligjore por cënon ndjeshëm sigurinë e konsumatorëve.



