Maxhoranca dhe opozita kanë dorëzuar dje në Kuvend dy raporte rekomanduese në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Raportet e dy grupeve të deputetëve janë dorëzuar dje në Kuvend në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e depozituar në Kuvend më 19 tetor.
Në konkluzionet e raportit të maxhorancës, që mban firmën e deputetëve Vasilika Hysi, Ulsi Manja, Klotilda Ferhati dhe Bledar Çuçi, këta të fundit rekomandojnë pranimin e kërkesës së Prokurorisë për dhënien e autorizimit për kontrollin e banesës së Tahirit, dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit si dhe rrëzimin kërkesës për vendosjen e masës “arrest me burg” apo “arrest shtëpie” për deputetin Tahiri.
Ndërsa në raportin e opozitës, deputetët Dhurata Çupi, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Nasip Naço i rekomandojnë Kuvendin dhënien e autorizimit për arrestimin, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit Tahiri. Në raport thuhet se mosarrestimi i Tahirit do të linte hapësirë për kompromentimin e provave, çka sipas deputetëve të opozitës "do ta bënte Kuvendin strehë të krimit dhe mbështetësve direkt të tij".



