Të paktën 100 mijë njerëz pushtuan rrugët dhe sheshet e Tel Avivit dhe qyteteve të tjera izraelite në mbrëmje.
Kjo ishte protesta më e madhe që nga fillimi i luftës. Qytetarët kërkuan dorëheqjen e Netanyahut, rikthimin në kutitë e votimit dhe lirimin e pengjeve.
Lufta shkatërruese në Rripin e Gazës hyn sot në muajin e saj të shtatë.
Negociatorët nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti, Katari, Izraeli dhe Hamasi do të takohen sërish në Kajro në përpjekje për të arritur një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve.
E nisur më 7 tetor nga një sulm i përgjakshëm i Hamasit në Izrael, ofensiva izraelite nuk ka asnjë prehje.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza 33,137 persona kanë humbur jetën, shumica prej tyre civilë.
Sipas mediave amerikane, kreu i CIA-s, Bill Burns, do të jetë në Kajro për të takuar kreun e Mossad-it izraelit, David Barnea, si dhe zyrtarë egjiptianë dhe nga Katari. Shtëpia e Bardhë konfirmoi bisedimet. Delegacionet izraelite dhe të Hamasit do të vizitojnë kryeqytetin egjiptian të dielën, së bashku me Burns dhe ministrin e jashtëm të Katarit.
Ndërkohë zëdhënësi ushtarak i Izraelit bëri me dije se forcat ajrore izraelite goditën një kompleks ushtarak dhe infrastrukturë tjetër terroriste të mbrojtjes ajrore të Hezbollahut në zonën Baalbek, brenda territorit libanez.
Bastisja është kryer në përgjigje të rrëzimit të një droni izraelit mbrëmë.



