Marina Mbretërore britanike ka publikuar imazhe të një luftanijeje ruse të cilën e gjurmoi duke lundruar pranë ujërave britanike.
Korveta Boikiy ishte pjesë e një grupi detyrash, e cila u gjurmua nga HMS Somerset për tre ditë teksa kalonte nëpër Kanalin Anglez dhe Detin e Veriut, duke shoqëruar një anije tregtare në kthimin e saj nga Siria në Rusi.
Avionët e patrullës dhe forcat e NATO-s ndihmuan gjithashtu në operacionin e monitorimit, tha marina.
Boikiy është një nga disa anije ruse që janë gjurmuar duke lundruar pranë brigjeve britanike muajt e fundit.
Marina Mbretërore tha se operacioni i saj filloi të shtunën ndërsa anija luftarake ruse u drejtua në jug përmes Detit të Veriut dhe Kanalit anglez për të takuar anijen tregtare, të njohur si Baltic Leader, për ta shoqëruar atë në Rusi.
Somerset, një fregatë britanike e tipit 23, përdori sistemin e saj të radarit për të raportuar mbi lëvizjet dhe një helikopter Merlin nga skuadrilja ajrore e saj detare u nis gjithashtu për të mbledhur informacion nga qielli.
The Times raportoi se anija tregtare ruse po transportonte pajisje ushtarake nga baza detare ruse në Tartus, Siri.
Oficeri komandues i anijes, Cdr Joel Roberts, tha: “Somerset është i përgatitur mirë në shoqërimin e anijeve ruse, pasi i ka kryer këto operacione në një sërë rastesh".
Kjo është hera e dytë këtë vit që Somerset është përdorur për të gjurmuar aktivitetin rus në brigjet britanike.
Operacioni vjen dy javë pasi marina monitoroi pesë anije, përfshirë tre anije tregtare, teksa lundronin për në një port rus të Balltikut nga Siria.
Në muajin janar, Sekretari i Mbrojtjes John Healey u tha deputetëve se Marina Mbretërore kishte monitoruar një anije spiune ruse pasi ajo u pikas rreth ujërave të Mbretërisë së Bashkuar duke akuzuar se anija, Yantar, ishte përdorur për të mbledhur informacione inteligjence dhe për të hartuar infrastrukturën nënujore të Mbretërisë së Bashkuar.
Ai tha se incidenti ishte një shembull tjetër i agresionit rus në rritje.



