Me rastin e 25-vjetorit të zhdukjes dhe më pas të vrasjes së Remzi Hoxhës, djali i tij, Ardiani, ka njoftuar se familja ka vendosur t’i japë fund kërkimit për eshtrat dhe të mbyllë këtë kapitull të tmerrshëm. Ai ka njoftuar se të mërkurën do të ketë një konferencë për këtë çështje.
“Pas 25 vite vuajtje, maltretime dhe tortura psikike e emocionale, familja jonë ka vendosur t’i japi fund kërkimit të pafund të eshtrave të tija dhe të mbyllim këtë kapitull të tmerrshëm të jetës tone,”- thuhet në njoftimin e familjes Hoxha.
Gjithashtu, familja Hoxha njofton se në vitin e ardhshëm 2021 do të bëjnë varrin dhe memorialin e Remzi Hoxhës.
Remzi Hoxha ishte një biznesmen shqiptar i Maqedonisë dhe i lindur në Shkup, që është akuzuar si agjent i agjenturave serbe. Disa të tjerë e konsiderojne atë si një figurë të madhe në luftën kundër Serbisë, një patriot i vrarë nga SHIK-u shqiptar.
Ka një hipotzë sipas të cilës, Remziu u vra për shkak se ishte dëshmitar i një takimi mes Sali Berishës, në atë kohë president dhe udhëheqësit të Serbisë, Millosheviçit. Drejtpërdrejt për vrasjen e tij është akuzuar Bashkim Gazidede, ish-kreu i SHIK-ut në atë kohë.



