Nga çadra e protestës ku demokratë, opozitarë, mbështetës të tyre e qytetarë të zhgënjyer me qeverinë protestojnë për të tretën ditë me radhë, dhëndri i ishkryeministrit Berisha, kreu i Departamentit të Mjedisit në PD ka vlerësuar pjesëmarrjen masive në protestë, por nuk ka lënë pa kritikuar mënyrën e organizimit të protestës.
“Unë jam shumë më i kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë, sesa me organizimin e saj. Për fat të keq PD shpesh i merr gjërat shumë spontanisht” tha ai, duke shtuar se pjesëmarrja masive qytetarë është shumë optimiste.
Sipas tij, protesta tashmë është në fazë tjetër, ndryshe nga dita e parë e fillimit. “Edhe muzika më e avancuar, presim të dëgjojmë Bob Marley, dhe jo himnin e flamurit, apo ‘Për ty atdhe” tha ai. Pyetur nga News 24 nëse do të jetë pas vitit 2017 deputet i PD, Malltezi u përgjigj: “Nuk e di, nuk përbën lajm, as për mua as për shqiptarët, secili të bëjë misionin e tij, unë dua të bëj më të mirën për mjedisin, turizmin, do isha më i lumturi në botë sikur të ngelesha pa punë, nëse mjedisi të ishte pa asnjë problem”.
Sa për një krahasim se si e sheh drejtimin e PD dikur me Berishën e sot me Bashën, Malltezi thekson se janë personalitete të ndryshme dhe kohë të ndryshme. “Janë personalitete të ndryshe dhe epoka të ndryshme, Basha ka barrë shumë të madhe. Berisha burgosi 204 banda të krimit të organizuar, këto banda tani po dalin, Basha po përballet me një situatë aspak të lehtë, shumë më të vështirë”, tha ai.



