
3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.
Është një kujtesë për qeveritë për të respektuar angazhimin e tyre për lirinë e shtypit dhe të medias.
Kjo ditë shënohet që nga viti 1993 e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ajo është një ditë reflektimi për gazetarët dhe aktorët e tjerë mediatikë mbi sfidat e tyre për të garantuar lirinë e shtypit por edhe për të siguruar një gazetari etike dhe profesionale. Po aq me rëndësi, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një ditë për të treguar përkrahjen tonë për mediat të cilat janë objekt i kufizimeve, apo eleminimit, në përpjekjet e tyre për të arritur lirinë e shtypit. Është gjithashtu një ditë mirënjohjeje për gazetarët të cilët kanë qenë të kërcënuar, të sulmuar dhe për ata të cilët kanë humbur jetën e tyre duke ndjekur një lajm. Kjo gjë na kujton që në të vërtetë heshtja e vret demokracinë!
Në një deklaratë të përbashkët të organizatës “Reporterët pa Kufij” me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, më 3 maj, ato kujtuan se e drejta për lirinë e shprehjes është e parashikuar në nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilën e kanë të 47 shtetet anëtare të Këshillit të Europës, përfshirë 27 vendet anëtare.
“Në një demokraci, gazetarët luajnë një rol jetik në zbulimin e së vërtetës dhe mbajtjen përgjegjëse të autoriteteve. Detyra e tyre është të sigurojnë që qytetarët të marrin informacion të saktë dhe të besueshëm në kohën e duhur, i cili është edhe më i rëndësishëm në kontekstin e pandemisë COVID-19”,- thuhet në deklaratë.
Ndryshe, tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit këtë vit është “Blackout May”, që shërben si përkujtues se si do të dukej një ditë pa media.
3 maji është po ashtu dita e përkujtimit të atyre gazetarëve që e kanë humbur jetën në ndjekje të së vërtetës dhe raportimit profesional.



