
Deri para pak vitesh, gazetarët vriteshin në zona lufte. Por sot vriten nëse denoncojnë afera politike, kriminalitet dhe korrupsion. Vrasjet e gazetarëve janë shtuar me 18% në të gjithë botën, për 4-vjeçarin 2014-2018. Kjo bazuar mbi krahasimin me periudhën 2009-2014. Rreth 55 % e vrasjeve kanë ndodhur në vende ku nuk ka luftë. Rreth 90% e atyre që kanë porositur ose kryer vrasjen e 1109 gazetarëve në vitet 2006-2018 nuk janë ndëshkuar. Shifrat dalin nga një raport i UNESCO-s, i publikuar këtë fundjavë.
Raporti evidenton si vendet ku numri i gazetarëve të vrarë është më i madh Arabinë Saudite, Amerikën Latine, Karaibet dhe Azinë. Në këto vende, gazetarët e vrarë janë përfshirë në investigime politike, investigime kriminale dhe ato që kanë të bëjnë me afera korruptive. Sipas raportit, siguria fizike e gazetarëve është përkeqësuar. Sulmet ndaj tyre janë shtuar, ndërsa puna është bërë më e vështirë për shkak të ndjekjes penale, arrestimeve, burgosjeve dhe mohimit të së drejtës së informimit.
Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, numri i vrasjeve është dy herë më i vogël. Në përiudhën janar-tetor 2019 janë vrarë 44 gazetarë në të gjithë botën, ndërsa një vit më parë kjo shifër ishte 90.
Raporti u publikua më 2 nëntor, në ditën ndërkombëtare kundër pandëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve. Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, u bëri homazh gazetarëve të vrarë në Europë vitet e fundit, Daphne Caruana Galizia dhe Jan Kuciak, gazetari sllovak që u gjet u vrarë në shtëpinë e tij vitin e kaluar, kur po hetonte mbi menaxhimin e fondeve të BE-së në vendin e vet.
“Nuk ka demokraci pa liri të medias”, tha Sassoli.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se kur gazetarët vihen në shënjestër, koston e paguan e gjithë shoqëria. Guterres e ka vënë theksin në mënyrë të veçantë te sulmet ndaj gazetareve femra, të ekspozuara më shumë ndaj dhunës gjinore, shprehjes së urrejtjes me sfond seksual dhe kërcënimeve e agresionit seksual. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



