Ditën e sotme besimtarët katolikë festojnë Pashkën, e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit.
Në këtë ditë të shënuar nuk kanë munguar urimet e krerëve të politikës.
Kryeministri Rama shkruan në urimin e tij:
Me ditën e Ringjalljes së Krishtit, që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun, ju uroj gëzuar Pashkën Katolike.
Edhe kryedemokrati Sali Berisha i ka uruar Pashkët në mesnatë, duke thënë se sonte besimtarët katolik shqiptar dhe të të gjithë botës festojnë Pashkën, ditën e ringjalljes të Krishtit Mbret.
Pashka, dita e ringjalljes së Hyijt është për çdo njeri, për të gjithë besimtarët, ditë e besimit të madh tek Zoti, te mirësia dhe gjithëfuqia e tij.
Vetishëm Pashka është ditë e shpresës së pashuar, e frymëzimit të njeriut nga vlerat hyjnore dhe njerëzore dhe një e ardhme më e mirë. Kjo ditë e bekuar i ka gjetur kësaj radhe Shqipërinë, besimtarët katolik dhe miqtë e tyre të besimeve të tjera para një zgjedhje historike me datën 14 maj.
Duke ju uruar të gjithë besimtarëve katolik këtë ditë të shenjtë, ju ftoj të dashur miq t’i lutemi ne Zotit që të bekojë Shqipërinë, shqiptarët kudo që janë dhe votën e tyre për rivendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Pashkën tjetër më mirë ta festojmë! Gëzuar.
Ish-kryedemokrati Lulzim Basha në urimin e tij thotë se lutet që kjo ditë e ngjalljes së Krishtit të jetë dita e ngjalljes së shpresës dhe besimit tek një e nesërme më e mirë dhe e sigurtë, nën mbrojtjen dhe drejtimin e Zotit fuqiplotë.
Të dashur besimtarë katolikë dhe ungjillorë, ju uroj nga zemra Pashkë të bekuar! Për shumë vjet gëzuar këtë ditë të shenjtë që kremton triumfin e jetës mbi vdekjen, të shpresës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën, të së drejtës mbi padrejtësinë!
Presidenti Bajram Begaj në urimin e tij shkruan:
Gëzuar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë! Shpresa, dashuria dhe jeta e gëzueshme që frymë e Pashkëve përcjell bekoftë jetën tuaj!
Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar Pashkë të gëzuara.
Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ungjillorë ju uroj nga zemra, Pashkë të Bardha! Qofshi të gëzuar pranë familjeve e më të dashurve tuaj.
Mesazhi i ringjalljes që kjo festë sjell, uroj të jetë ringjallje dhe e Shqipërisë sonë, në të gjitha aspektet.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla thotë se ringjallja e Krishtit është mesazhi i fuqisë së jetës mbi vdekjen, i rrezes së dritës mbi tunelin e errësirës, i bekimit të dashurisë mbi mallkimin e urrejtjes, i paqes mbi luftën, i ngadhënjimit mbi mungesën e shpresës.
Thirrja dymijëvjeçare “Paqe për ju” nuk është vetëm një mesazh fetar dhe as vetëm kristian, por një mesazh universal dhe njerëzor, për paqe, dashuri, pajtim e përdëllim!
Thirrja e Pashkëve për paqe le të përshkojë jetët tona, familjet tona, vendet tona! Gëzuar Pashkët, gjithë besimtarëve katolikë!



