
Një foto e postuar në rrjetet sociale nga Ambasada Britanike në Prishtinë duket se nuk i ka pëlqyer presidentit serb.
Në foto shfaqet lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, partia e të cilit fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, dhe Ambasadorja Britanike në Prishtinë, me flamurin shqiptar në mes.
"Unë kam një pyetje për Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë: Në zgjedhjet e kujt fitoi Kurti dhe partia e tij, dhe i kujt është flamuri përpara të cilit, Shkëlqesia Juaj, krenarisht është fotografuar me Kurtin? Unë do të vazhdoj t'ju pyes këtë derisa të marr një përgjigje", ka shkruar Aleksandar Vuçiç në llogarinë e tij në Twitter.
Kjo nxiti reagimin e ambasadës së Britanisë së Madhe, e cila është përgjigjur: “Një foto e fundit e Ambasadorit që takohet me një nga liderët politikë në Kosovë ka tërhequr vëmendjen në rajon. Është detyrë e Ambasadës të takohet me aktorët kryesorë politikë në Kosovë. Ne nuk kemi zgjedhur se si bashkëbiseduesi ynë, duke vepruar me një kapacitet partie, i rregullonte dhomat e tij”.



