Pas largimit të trajnerit Elvis Plori, Vllaznia nuk ka humbur kohë për të zyrtarizuar timonierin e ri. Drejtimi i skuadrës shkodrane i është besuar Mirel Josës.
Ky i fundit u shkarkua pak javë më parë nga drejtimi i Laçit, teksa tashmë do të ulet në stolin e Vllaznisë. Njoftimi është bërë nga vetë klubi shkodran.
Klubi i Futbollit Vllaznia ka vendosur t'i ofrojë të gjithë besimin dhe mbështetjen e duhur trajnerit të njohur dhe me eksperiencë Mirel Josa në drejtimin e pankinës kuqeblu. I urojmë fat dhe suksese në përmbushjen e objektivave sezonale dhe në vazhdimësi në drejtimin e Vllaznisë. Mirë se erdhe mjeshtër.
Josa e njeh mirë kampionatin shqiptar, pasi përveç Laçit, në Superiore ka drejtuar edhe Tiranën, Skënderbeu, po ashtu edhe Vllazninë në sezonin 2010-2011.
Dy javë para fundit të kampionatit, Vllaznia mban vendin e pestë me 49 pikë, teksa janë edhe në finalen e Kupës, aty ku përballë kanë Laçin.



