
“S’ka mirëbesim në dialogun me Serbinë pa u dorëzuar Radoiçiçi dhe grupi i tij”.
Ky ishte qëndrimi i përsëritur edhe një herë sot nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dy ditë pas dështimit të takimit mes tij dhe Presidentit Vuiçiç.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë Kurti përmendi tri garancitë që i kërkon Brukselit për dialogun me Serbinë.
"Kjo bëhet me pranim në tërësi të marrëveshjes, të cilën e kemi arritur dhe me zbatim të tërësishëm të saj. Me zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të disa neneve të saj. Nënshkrimi i marrëveshjes do të nënkuptojë formalizimin, tërheqja letrës së ish-kryeministres Bërnabiç do të nënkuptojë seriozitet për fillim të zbatimit, kurse dorëzimi i kriminelit Radoiçiç dhe grupit të tij paramilitar, do të nënkuptojë vendosje të drejtësisë dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor”.



