Rezoluta e PE për Shqipërinë/ Milo: Pjesëmarrja e opozitës në komision, parim bazë i demokracisë (VIDEO)

Rezoluta e PE për Shqipërinë/ Milo: Pjesëmarrja e opozitës në komision, parim bazë i demokracisë (VIDEO)

Ish ministri i jashtëm i Shqipërisë Paskal Milo në studion e lajmeve në MCN TV ka komentuar lidhur me rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë ku u shpreh se pjesëmarrja e opozitës në komision është një parim bazë i demokracisë.

Ai tha se debati për komisionet hetimore ka hyrë në një rrugë qorre dhe se e drejta e opozitës për ngritjen e tyre është një e drejtë kushtetuese. Sipas tij komisioni i reformës duhet të zbatojë rekomandimet e OSBE-ODIHR

Intervista e plotë

 1.Zoti Milo a mund ta cilësojmë fitore të opozitës miratimin e rezolutës për Shqipërinë sot në komisionin e stabilizim asociimit në parlamentin europian ku thuhet se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse……?

Ky ka qenë parim bazë që herët që është diskutuar për reformat më të rëndësishme që Shqipëria duhet të realizojë. Nuk është se ka ndonjë zbulim që është nënvizuar ky parim bazë në përfundim të mbledhjes dhe përsa kohë është parim bazë duhet të respektohet, prandaj është dhe parlamenti si institucioni më i lartë ku ligjet që kanë të bëjnë me vendin dhe marrëdhëniet me jashtë duhet të jenë një frymë konsensuale. Bëhet mirë që ky parim bazë nënvizohet qartë që dhe organet përgjegjëse shqiptare ta kenë parasysh se po tërhiqet vëmendja për një parim bazë të demokracisë.

2. Po ashtu në këtë rezolutë theksohet se ngritja e komisioneve hetimore është dosmodoshmëri për funksionim normal të parlamentit…? Mendoni se do të ketë një reflektim nga maxhoranca e cila e miratoi pa konsensus ligjin e ri?

Mendoj se kjo çështje ka hyrë tashmë në një rrugë qorre, çështja e ngritjes së komisiopneve hetimore. Çështja për ngritjen e komisioneve hetimore në parlament është çështje kushtetuese. Pastaj gjithçka tjetër që bëhet është në funksion të një lufte politike e paprinciptë që kërkon të keqpërdore disa të drejta kushtetuese për të pasur disa përfitime pulitke. Mendoj se politika shqiptare duhet ti rikthehet kësaj çështje dhe sa më shpejt ta bëjë aq më mirë sepse e para po afrojnë zgjedhjet parlamentare që do jenë në vëzhgimin e BE, por do të jetë dhe në vëzhgimin e organizmave të tjera ndërkombëtare qoftë dhe SHBA. Pra duhet të përgatiten zgjedhjet me shumë kujdes dhe një nga çështjet që ka të bëjë me përgatitjet e tyre ka të bëjë dhe reforma zgjedhore e gjithë pranuar. Pra nuk mund ti shmangemi detyrimeve nga këto organizma ndërkombëtare që kanë monitoruar zgjedhjet në Shqipëri dhe kanë lënë detyra të caktuara. Shqipëria duhet të dali nga harta e listës së zezë që s’di të bëjë zgjedhje të ndershme dhe demokratike.

3.Ndalemi pak tek tryeza e liderëve të Ballkanit në Shkup. Si e shihni fondin prej 6 miliard eurosh të akorduar për Rajonin...për 3 vitet e ardhshme? A është i mjaftueshëm?

Asgjë nuk është e mjaftueshme për vende me nevoja dhe kërkesa të shumta, është gjithmonë relative. Për ne si Shqipëri, shuma është e dobishme dhe ndihmon patjetër. Shuma është e konsiderueshme, por varet shumë se si do përkthehet kjo shumë në terrenin konkret të Ballkanit se çfarë projektesh do mbulohen, ne nuk e dimë, por me këto fonde të BE ndodh që harxhohen për çështje që s’kanë të bëjnë me thelbin e rritjes ekonomike, por me plotësimin e disa nevojave periferike të këtyre vende. Ne nuk e dimë që në këto 6 mld që do i jepen vendeve të Ballkanit perëndimor cila është përqindja që do të marrë Shqipëria sepse nuk besoj se do ketë një ndarje të barabartë në përqindje, pastaj varet shumë dhe absorbimi që mund tu bësh fondeve që jep BE.

4.Pse zoti Rama sipas jush, ndryshe nga liderët e tjerë nuk bëri një listim të projekteve që duhet të financohen nga BE...? Pse kjo mungesë transparence?

Nuk kam informacion të saktë për të ditur se Shqipëria ka vajtur me projekte kjo nuk diskutohet se pa projekte nuk financohet. Ndoshta dhe nëse i mban të fshehta një ditë ato do materializohen. Fakti që shqiptarët duan të dinë dhe kanë të drejtë të dinë se çfarë do të bëhet me këto para duhet të deklarohen sepse s’mund të mbahen të fshehtë.

5.A është nevojshme që Shqipëria të organizojë tryezë për Ukrainën? Çfarë fitojmë ne nga këto organizime, apo mund të themi që Rama e bën për protagonizëm në arenën ndërkombëtare?

Nuk e di se çfarë niveli kanë këto organizime, një organizim ndërkombëtar duhet të dihet çfarë është, është një konferencë zyrtare takim i nivelit të lartë, është takim i një niveli të dytë i ministrave të jashtëm i çfarë përmase, apo është një konferencë ku mund të vijnë të gjithë të flasin. Pra varet nga niveli dhe për nga niveli varet dhe angazhimi që do marrë Shqipëria. Shqipëria është vend anëtar i NATOs, ka mbajtur një pozicion të qartë në mbështesje të Ukrainës dhe është në të drejtën e saj për të ngritur zërin. Në parim s’ka pse të anatemohet, por do të varet shumë në kohën kur do bëhet, nga axhenda që do të ketë dhe nga pjesëmarrja. Nëse do jetë e një niveli të lartë kjo do të jetë pozitive, aq më tepër që çështja e Ukrainës nuk është për të mos u patur në konsideratë kur kemi parasysh që Ballkani është një vend që mund të shpërthejë krizë. Nëse nuk mbështesim Ukrainën për të përballuar agresionin rus, atëherë Rusia është gati të zbresë në Ballkanin perëndimor.

6. Debate në Bruskel ka ndezur edhe çështja Beleri. A shihni ju ndonjë mënyrë që dy vendet të gjejnë gjuhën e kompromisit për këtë çështje? Sa gjatë do të vijojë Greqia ti qëndrojë vetos të saj?

Në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare por dhe atë rajonale ka konflikte, grindje të cilat fillojnë si të vogla të përkohshme por që për fat të keq kanë zgjatur për vite të tëra dhe shembulli më i keq është grindja e Greqisë me Maqedonisë së veriut për çështjen e emrit e cila zgjati për 20 vjet ku Maqedonia e veriut humbi trenin për anëtarësimin në BE. Ngjarjet varet se si e trajton, por s’mund ti imponohet për sa kohë që secili mendon se ka të drejtë për çështjen që trajton. Unë e shoh nëse nuk do ketë një kompromis një çështje që do të hajë vite për tu zgjidhur apo për ti hapur rrugë një procesi të rikthimit në normalitete të marrëdhënieve. Vetëm ndërhyrja e BE apo SHBA mund ti hapë rrugën një kompromisi sepse palët deri tani janë shumë larg për të gjetur rrugën e një kompromisi që do i kënaqte të dyja palët.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy