
Dekreti për anulimin e datës së zgjedhjeve ka qenë tema e takimit të ambasadorëve të vendeve të BE-së në Tiranë me presidentin Ilir Meta. Takimi është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Pallatin e Kongreseve.
Mësohet se gjatë takimit është diskutuar në lidhje me dekretin e dytë të kreut të shtetit, i cili anulon mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, datë që ishte përcaktuar nga dekreti i lëshuar nga Meta në fund të vitit të kaluar.
Gjatë takimit mësohet se presidenti Meta e ka cilësuar grusht shteti nismën pë shkarkimin e tij dhe ka përsëritur se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor.
Meta i ka njohur ambasadorët me aktet ligjore që sipas tij mbështetin zhdekretimin e datës së zgjedhjeve.
Gjithashtu, Meta është shprehur se do të bëjë thirrje që më 21 qershor të mos mbahet protesta e parashikuar nga opozita.
Meta është shprehur se më 30 qershor, nëse është e nevojshme, në cilësinë e komandantit të Forcave të Armatosura do të urdhërojë nxjerrjen e ushtrisë.
Ndërkohë që opozita njeh zhdekretimin e datës së zgjedhjeve dhe këmbëngul se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, maxhoranca vijon fushatën elektorale nëpër qytetet e vendit, duke e konsideruar antikushtetues dekretin e ri të presidentit.



