Baton Haxhiu ka reaguar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV lidhur me lajmin e rremë që qarkulloi në rrjete sociale dhe disa media, sipas të cilit kryebashkiaku i Gjirokastrës ishte infektuar me HIV/AIDS, ndërsa pretendime të pabazuara flisnin edhe për përhapje të infeksionit mes qytetarëve të qytetit.
Duke komentuar situatën e krijuar, Haxhiu theksoi se përhapja e një lajmi të tillë të pakonfirmuar ka shkaktuar panik të panevojshëm në një komunitet të vogël si Gjirokastra, duke e krahasuar mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla me mungesën e komunikimit institucional dhe keqinformimin publik.
“Njeriu që e vë zjarrin dhe zjarri merr fushën ose malin është i fundit që burgoset. Shteti dhe njerëzit merren me pasoja, më së pari të shuajnë zjarrin”, u shpreh Haxhiu, duke kritikuar mënyrën se si është menaxhuar informacioni.
Ai shtoi se përhapja e deklaratave të pakonfirmuara ka ndikuar në krijimin e frikës kolektive, duke theksuar se HIV/AIDS mbetet një sëmundje e trajtueshme dhe se stigmatizimi i saj historik ka dëmtuar komunitetet.
Sipas tij, mungesa e komunikimit të saktë nga institucionet shëndetësore dhe autoritetet lokale ka shtuar konfuzionin, ndërsa përgjegjësia për situatën nuk duhet të kufizohet vetëm te individi që ka bërë deklarata të pavërteta, por edhe te mediat që i kanë transmetuar pa verifikim.



