I shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle, arrestohet në Tiranë, biznesmeni 56-vjeçar Nikolin Janina.
I prangosuri është i njohur në vend, në biznesin e hidrosanitareve dhe shitjen e pllakave.
Ndërkohë drejtësia spanjolle e akuzon 56-vjeçarin si kreun e një bande të trafikut të drogës, në të cilën janë të përfshirë shqiptarë, spanjoll dhe turq.
Janina dyshohet se drejtonte grupin i cili merrej me trafik heroine, morfine dhe opiumi, në shtete të ndryshme të Europës.
Ndalimi i Nikolin Janinës u bë nën akuzën e veprës penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, ndërkohë që pritet ekstradimi i tij drejt Spanjës nga ana e Interpol.
Lidhur me urdhër-arrestin e lëshuar ndaj tij nga autoritetet spanjolle, gjatë operacionit për goditjen e grupit të drejtuar nga Janina, janë sekuestruar rreth 53 kilogramë heroinë.
Kujtojmë se në vitin 2017, Prokuroria për Krimet e Rënda, vendosi sekuestro ndaj pasurive të biznesmenit, për një vlerë prej 4 milionë euro.
Mirëpo ky urdhër u shfuqizua rreth një vit më vonë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Policia tha zyrtarisht se, “Finalizohet operacioni policor i koduar “Madrid”, në kuadër të të cilit u kap një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, bënë kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, të shtetasit:
N. J., 56 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.



