
Fermeri Alban Çakalli, shtrenjtimin e produkteve të bulmetit e argumenton me ndikimin që ka patur shtrenjtimi i inputeve bujqësore, si nitrati, dapi, superfosfati, çka sipas tij bëri që produktet bujqësore të vijnë me çmim shumë të lartë. Në një lidhje për studion e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se në Shqipëri në pandemi nuk pati subvencionim për fermerët duke bërë që të ndjehet rëndesa ekonomike. “INTSAT për vitin 2022 nxori rënie totale të blegtorisë, krahasuar me vitin 2021. Rënia është me 5.3%. Në vitin 2021 kemi pasur 337 mijë gjedhë, aktualisht kemi afërsisht 40 mijë gjedhë më pak se 2021, kjo ndikoi në rritjen e kostove. Rritja e çmimeve te drithërat dhe soja u rrit me 30-50%. 10 mijë fermerë kanë përfituar subvencionim, por nëse do kishim subvencionim të drejtë dhe të saktë, do të sillte dhe uljen e kostove për blegtorinë. Ministrja e Bujqësisë e pranon rënien e blegtorisë, por thotë se kemi rritje të cilësisë. Por kur kemi rënie të drithërave, si rritet cilësia e prodhimit të bagëtive, vetëm nëse ushqehet me ujë.” Çakalli hodhi akuza se Ministria e Bujqësisë nuk është takuar kurrë me fermerët realë, për të zgjidhur problematikat që kanë pasur fermerët kohët e fundit. “Sasia e qumështit të importuar për 2023 krahasuar me 2022 ka qenë me 28% rritje, kemi importuar 28% qumësht më shumë dhe kjo do të thotë se kemi rënie të blegtorisë. Qumështi që prodhojnë fermerët është një shifër shumë e ulët, qumështi ynë është nga 10-20% vendi, ndërsa pjesa tjetër është e importuar. Blegtorët e shesin diku te 80 lekë të reja për litër, ata që nuk janë të licencuar e shesin me 60 lekë të vjetra.”



