Teksa një e treta e popullsisë shqiptare jeton me 5.5 dollarë në ditë, Bashkia ka vendosur t`i bëj një dhuratë institucionit të Kryeministrisë. Dhurata në vlerën 93 milionë lekë, është ndërtimi i sistemit automatik të vaditjes me pus tek lulishtja e Kryeministrisë.
Në procedurën e shpallur nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe e Gjelbërimit, pranë Bashkisë Tiranë, ka marrë pjesë vetëm 1 ofertues, duke ngritur kështu flamurin e kuq për mungesën e konkurrencës. Operatori i vetëm në garë është shpallur edhe fitues, me gati 99% të fondit limit.
Në dokumentat standarde të tenderit, parashikohet ndërtimi i një pusi që më pas do të lidhet me sistemin e ri të vaditjes për ujitjen e lulishtes së kryeministrisë. Ky investim parashikohet të jetë pjesë e buxhetin afatmesëm 3- vjeçar 2022-2024.
“Projekti për ndërtimin e një sistemi ujitje automatik me pus, me sipërfaqe 7549 m², në lulishten pranë Kryeministrisë, është në zbatim të planeve të Bashkisë Tiranë, për rritjen e shërbimit dhe cilësisë në hapësirat publike”. - thuhet në dokumentat e tenderit.
Por, a mund të quhet hapsirë publike, një hapsirë që nuk i shërben publikut, por është oborri i Kryeministrisë, ku nuk lejohet askush të hyjë përveç administratës???



