
Miratimi i një ligji për holokaustin nga parlamenti polak, vetëm me votat e maxhorancës, është kundërshtuar ashpër nga Izraeli. Ligji i miratuar në orët e para të mëngjesit, edhe pse me kundërshtime të forta nga opozita, parashikon dënimin me burg të kujtdo që akuzon polakët apo shtetin polak për bashkëpunim me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zyrtarë të lartë në Izrael e kritikuan votimin, madje disa prej tyre i bënë thirrje kryeministrit Benjamin Netanjahu të tërheqë ambasadorin izraelit në Varshavë.
“Izraeli e shikon me shqetësim çdo përpjekje për të sfiduar të vërtetën historike. Nuk ka ligj që mund t’i ndryshojë faktet historike”, tha ministri i Jashtëm izraelit, Emmanuel Nahshon.
Pasi kaloi në Parlament, ligji në fjalë duhet të dekretohet nga presidenti polak Andrzej Duda, për të hyrë në fuqi. Ata që e kundërshtuan me forcë miratimin e këtij ligji, kanë kërkuar që, para se të kalonte në Parlament, projekti të bëhej objekt i dialogut me Izraelin.
Një zyrtar izraelit shprehu “zhgënjim të thellë, duke pasur parasysh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rëndësishme për të dy palët”. Ai shtoi se “miratimi i këtij ligji është në kundërshim me klimën e bashkëbisedimit mes dy kryeministrave”.
Ministri izraelit, Yoav Gallant, tha se ligji nuk është gjë tjetër veçse mohimi i holokaustit, ndërsa ish-ministrja e Jashtme, Tzipi Livni, tha se miratimi i tij është njësoj sikur “Izraelit t’i pështyjnë në fytyrë”. /Haaretz / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



