
Eksperti i bujqësisë Eduart Sharka tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv, se fermerët shqiptarë duhet të kalojnë nga protestat me kërkesa ekonomike në protesta me kërkesa politike.
Sipas ekspertit protestat e fermerëve janë legjitime duke qenë se buxheti dhe politikat e mbështetjes janë shumë larg asaj që duhet.
Sharka tha se këto ditë fermerë janë përballur me një krizë të tregut ku kostoja e produktit është më e lartë se çmimi i shitjes.
Lidhur me denoncimin e fermerëve se grumbulluesit e marrin mallin pa faturë tatimore, Sharka tha se shteti i ka të gjitha mekanizmat e nevojshme që t’i japë fund brenda një ore të gjithë informalitetin.
I mbështesim protestat, janë legjitime, por më lejoni të theksoj që fermerët shqiptarë duhet të bëjnë një ndryshim të madh, duhet të kalojnë nga protestat me kërkesë ekonomike në protesta me kërkesa politike.
Ka prova që kjo qeveri nuk ka as qasjen më të vogël që të dëgjojë kërkesat e fermerëve, t’i shqyrtojë dhe t’i zbatojë ato. Kërkesat e para të organizuara kanë qenë në 2019. 5 kërkesa kryesore që janë përsëritur dhe në ditën e sotme. Janë të argumentuara dhe s’ka dalë asnjë ekspert i qeverisë që t’i kundërshtojë.
Fermerët janë në të drejtën e tyre që të kërkojnë largimin e kësaj qeveria. Kanë 5 vjet që kërkojnë dialog. Kanë çuar kërkesa të argumentuara dhe vit pas viti paketat dhe buxheti i qeverisë vijnë në kundërshtim me kërkesat dhe standardet e BE. Qeveria ka obligim të përshtasë politikën e përbashkët agrare të BE me ato të Shqipërisë.
Këto ditë fermerët kanë qenë nën ndikimin e një krize të radhës të tregut. Kështu konsiderohet në bujqësi prishja e raportit kërkesë-ofertë dhe rënia e çmimit të shitjes së produktit nën kosto. Fakti që sheshin domatet 30-40 lekë, kur kostoja është 50 lekë për kg. Këto kriza tregu janë të parashikuara në ligj dhe ky ligj parashikon ndërhyrjen e qeverisë për të zgjidhur këto kriza.
Qeveria i ka të gjitha instrumentet që në momentin që ka një denoncim të tillë të 'vendosë pikat mbi i'. Sot çdo biznes lëshon faturë elektronike që regjistrohet online në sistemin e të hyrave në Drejtorinë e Tatimeve dhe duhet të mbikëqyrë të gjithë subjektet që grumbullojnë. I ka të gjitha instrumentet për ta bërë brenda orës, brenda ditës. Në momenti që doli ky denoncim i fermerëve, qeveria e ka obligim ligjor që të kthejë një përgjigje. Nuk është e mundur që një subjekt të grumbullojë pa faturë, është detyrim i qeverisë. Nuk e kanë detyrimin fermerët që të përplasen me informalitetin.



