Balkan Film Market, një platformë zbulimi për talentet (VIDEO)

Balkan Film Market, një platformë zbulimi për talentet (VIDEO)

“Ideologjitë na ndajnë. Ëndrrat dhe ankthi na sjellin së bashku”. Kjo thënie e Eugène Ionesco-s, i përshtatet më së miri hapësirës së Ballkanit, të mbushur plot me ngjarje dhe ku në kundërshtim me ndasitë ideologjike dhe politike, ato çfarë mund të bëjnë njerëzit në këtë hapësirë janë pikërisht ëndrrat dhe dhimbjet e përbashkëta.

Balkan Film Market, i mbajtur nga 3-7 tetor në Tiranë është një provë se si kinemaja mund të bëhet urë lidhëse për të gjithë ata që e duan filmin dhe botën audiovizuale. Mbi 280 profesionistë të fushës së kinemasë nga më shumë se 25 vende e kthyen kryeqytetin shqiptar në qendrën e industrisë balkanike të filmit.  Tirana u bë për disa ditë mikpritësja e personaliteteve më të rëndësishme të filmit në Europë, si Andras Muhi, i nominuar për çmimin  “Oscar” të vitit 2018 apo Andrea Magnani, i nominuar për çmimin “David di Donatello”, por edhe e kompanive të mëdha, si: Wild Bunch, Fandango, Intramovies, Heretic apo Epicentre.

Por çfarë synon të arrijë “Balkan Film Market” dhe çfarë mendojnë për këtë ngjarje të botës së filmit kineastë, regjisorë dhe producentë pjesëmarrës në të?!

Lucette Legot - Producente

Mendoj se është ide shumë e mirë të sjellësh njerëzit këtu, sepse Shqipëria nuk është shumë e njohur, të paktën nuk ishte për mua derisa takova Andamionin dhe ai e zbuloi për mua. Është mirë që njerëzit të takohen këtu dhe të zbulojnë jo vetëm Shqipërinë, por edhe mundësi të reja për filma që vijnë nga Shqipëria. Të takosh njerëz mendon se sot nuk është kaq e rëndësishme sepse njerëzit komunikojnë në mënyra të ndryshme përmes rrjeteve sociale dhe mënyrave të tjera, por kur takon dikë personalisht është diçka krejt ndryshe dhe kjo është e rëndësishme”.

François Margolin - Regjisor, Producent

“Është një përvojë fantastike. Isha vitin e shkuar gjithashtu në Tiranë. Është mirë, sepse ky market më mundëson takimin me disa njerëz që nuk i kam takuar më parë. Është shumë e rëndësishme për të ardhmen, sepse, mbase nuk do të prodhoj filmat që kanë bërë prezantimin e projekteve të tyre tani, por, në të ardhmen mund të bashkëpunoj me projektin e ndokujt këtu. Mendoj se Balkan Film Market është organizuar shumë mirë. Takimet këtu ngjajnë si takime intime, jo me shumë njerëz dhe njerëzit janë shumë të dashur, ashtu si edhe njerëzit që e organizojnë. Ka shumë markete nëpër botë, por te ky market dëshiroj të kthehem”.

Antonello Faretta, president i “Rete Cinema Basilicata” dhe drejtues i një prej  projekteve të “Matera 2019”

“Jam këtu në BFM të prezantoj projektin “MaTerre”. BFM është një vend i jashtëzakonshëm, ku njerëzit, profesionistë të filmit, prezantues të kompanive filmike mund të takohen dhe bëjnë lidhje, të gjejnë mënyra të reja për të bërë filma. Gjëja më e rëndësishme në kinema është të kesh vizion unik dhe të eksplorosh mënyra të reja të të bërit kinema. BFM mendoj se e ofron këtë. Përsa i përket projektit “MaTerre”, është një projekt filmik që do të realizohet në realitetin virtual e që do të prodhohet vitin e ardhshëm, në prill në programin e Matera, Qendra Europiane e Kulturës dhe Rete Cinema Basilicata. Është një film kolektiv i përbërë në 5 episode. Çdo episod do të bëhet nga një ekip prej 5 kineastësh dhe 5 poetësh. Kështu që është një film eksperimental, ku figura e skenaristit është ndryshuar në figurën e poetit. Mendoj se do të jetë i pari film në këtë teknikë në realitetin virtual. Ne po kërkojmë të përzgjedhim 5 kineastë të rinj të talentuar nga hapësira mesdhetare e Europës dhe po shpallim thirrjen, që t'i zgjedhim dhe t'i ftojmë dhe shpresojmë që një prej tyre të jetë nga Shqipëria”. 

BASHKËPUNIMET ME ITALINË DHE VENDET BALLKANIKE

Italia është një nga vendet partnere në organizimin e “Balkan Film Market” në Tiranë, gjë që duket se krijon më shumë mundësi bashkëpunimi mes këtij shteti dhe vendeve të Ballkanit. Ndërsa “MaTerre” është vetëm një prej projekteve të prezantuara gjatë Balkan Film Market.

 Massimo D’orzi - Regjisor, Producent

“Përvoja këtu në Balkan Film Market ka qenë shumë e mirë, fantastike me marrëdhënie shumë të mira dhe takime shumë të mira. Njerëzit që kanë ardhur këtu janë vërtet profesionistë, producentë, transmetues dhe distributorë të mëdhenj. Është shumë e rëndëisshme të jesh pjesë e këtij marketi, gjithashtu po të kesh projekte, ashtu siç ne kemi, në bashkëprodhime me vendet ballkanike. Për mua është shumë i rëndësishëm ky edicion i dytë i këtij marketi, sepse kjo platformë mund të prezantojë mundësi shumë të mira për shtetet e Ballkanit, por edhe për Italinë, sepse “Roma Lazio Film Commission” dhe Ministria e Kulturës në Itali duan të krijojnë një urë të qëndrueshme me shtetet e Ballkanit, kështu që kjo platformë është shumë e mirë”. 

Pjesëmarrja në markete të tilla filmi është baza, mbi të cilat ngrihen ura lidhëse dhe u jepet jetë bashkëprodhimeve filmike - Këtë gjë pohon edhe kineasti kroat Zvonimir Munivrana.

Zvonimir Munivrana - Regjisor, Producent

“Po flasim për filmin artistikë të Gjergj Xhuvanit, “Liqeni im”, bashkëpunimi i parë me Kroacinë, i cili sapo u xhirua në liqenin e Prespës. Producenti shqiptar është Dritan Huqi, të cilin e kam takuar në disa raste jashtë Shqipërisë. Ai gjithmonë më ka thënë se do të ishte bukur të punonim bashkë në një projekt, por nuk ka të bëjë vetëm motivimi, pasi duhet edhe projekti i duhur. Vitin e shkuar isha këtu në edicionin e parë të Balkan Film Market, i cili mblodhi shumë profesionistë të industrisë së filmit dhe më krijoi mundësinë të takohem sërish me Dritanin, i cili më qasi me këtë projekt shumë interesant dhe e pamë si mundësi shumë të mirë për të filluar bashkëpunimin së bashku, sepse jepte një mundësi jo vetëm për realizimin e anës teknike në Kroaci, por ofronte mundësi edhe për pjesën kreative kroate. Shumë shpejt më dërgoi skenarin, të cilin e lexova dhe mendova se ishte shumë i mirë dhe ishte i një prej regjisorëve më të njohur shqiptarë, kështu që vendosëm të aplikojmë për Qendrën e Filmit në Kroaci dhe fituam mbështetjen e saj. Projekti është interesant edhe sepse është një prodhim shumëkombësh. Në set ka punëtorë të filmit nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Italia dhe nga Kroacia. Është një projekt i mbështetur nga “Eurimages” dhe është interesant se mbulon një pjesë të Shqipërisë, e cila është e përzier nga një popullsi maqedonase dhe nga shqiptarët, një popullsi që është bilinguale dhe jep mundësi për kontributin krijues të Kroacisë. Mendoj se është histori shumë interesante dhe shumë e fuqishme në narracionin e saj, por edhe e vendosur në një lokacion shumë interesant, një liqen mes tri vendeve. Kam vërtet shumë pritshmëri nga ky projekt”.

Për Munivranën, BFM është një vendtakimi me producentë të ndryshëm, takime që nuk do të ishte e mundur të realizoheshin askund tjetër.

“Në Balkan Film Market kam takuar edhe producentë nga Greqia apo Maqedonia, të cilët janë bashkëngjitur tashmë në projekte të ndryshëm që kam në Kroaci. Kështu që është vërtet një amalgamë shumë e mirë e njerëzve që vijnë nga zona të ndryshme të produksionit të filmit dhe filmbërjes, jo vetëm producentë dhe krijues, si skenaristë apo regjisorë, por edhe shitës apo distributorë. Nuk është një ngjarje e industrisë së filmit të një festivali të madh, por ia del të sjellë në një vend njerëz nga të gjithë këndet e filmbërjes; drejtorë qendrash të filmave, të cilët mund t’i takosh dhe t’u flasësh e iu zgjon interes për projektin tënd etj. Kështu që mendoj se Balkan Film Market lidh vendet e Ballkanit, gjë që nuk mund të arrije ta bëje askund tjetër. Unë personalisht nuk kisha takuar kurrë producentë grekë, përveç se po të shkoja në festivale filmi në mënyrë specifike, kështu që ky market ndihmon”, shton ai. 

Dhënia jetë e bashkëprodhimeve me vendet e Ballkanit dhe filmave me tema autentike të këtij rajoni duket se ndihmohen prej këtij marketi, që pavarësisht kësaj mund të themi se nuk është vetëm ballkanik nga përfshirja e prodhimeve dhe profesionistëve që bëhen pjesë e tyre.

François Margolin, Regjisor, Producent

“Mendoj se për filmat në Ballkan ka shumë më pak para se në Francë për shembull, por, mendoj gjithashtu se në disa raste mund të bëjmë bashkëprodhime. Në Francë, ne bëjmë bashkëprodhime me Rumaninë apo Greqinë. Unë kam bërë bashkëprodhime me Bosnjën, për filmin e Danis Tanoviç, që fitoi “Ariun e Argjendtë” në Berlin, kështu që është e mundur të zhvillosh filma në këtë pjesë të Evropës, të botës. Mendoj se Danis Tanovic është një nga regjisorët më të rëndësishëm në botë dhe jo vetëm në Ballkan. Ai është regjisor i rëndësishëm, edhe nëse bën filma në Francë, në Bosnjë, në Kroaci si tani, apo në Amerikë.  Regjisorët e mirë mbeten të tillë kudo. Filmi “Death in Sarajevo” ishte një bashkëprodhim i vërtetë, sepse ishte për një pjesë teatrore të bërë në Paris, për një histori që ndodh në Sarajevë dhe vendosëm bashkë me Danis të ecim shumë shpejt. Bazuar mbi një pjesë teatrale të filozofit francez Bernard-Henri Levy, e vënë në skenë në teatër, gjatë luftës në Sarajevë, gjatë viteve ’90. Çfarë menduam është që filmi të ishte në gjuhën boshnjake, diçka shumë e rëndësishme, sepse po të ishte në anglisht apo në frëngjisht, nuk do të ishte në gjendje të tregonte të vërtetat. Të njëjtën gjë mendoj edhe për Shqipërinë. Shqipëria nuk është pjesë e Komitetit Europian, por kulturalisht sipas meje është pjesë e Evropës. Kështu që është mirë të kemi marrëdhënie, sepse keni skenarë të rinj, ide të reja edhe për ne në Francë”.

Lucette Legot - Producente

“Kam frikë se nuk kam parë shumë filma nga Shqipëria. Kam parë vetëm film të shkurtër të Andamionit dhe ishte cilësia e filmit që më bindi të bashkëprodhoj me të, kështu që, po, mendoj që cilësia është baza e bashkëpunimit dhe mbi të ndërtohet. Nuk është diçka që vjen vetiu, por dicka që e ndërtojmë së bashku”.

Massimo D’orzi - Regjisor, Producent.

“Duhet të konsiderojmë se zona e Ballkanit në këto momente në Evropë përfaqëson një hapësirë të thellë dhe plot me ide të mira, me projekte të mira, me autorë dhe kineastë të mirë. Çdokush në Evropë duhet të punojë me këto vende dhe mund të zbuloni këtu shumë kineastë të mirë. Mendoj se në të ardhmen mund të ketë akoma rritje dhe zhvillim të kineastëve dhe kinematografisë.  Për mua, ne kemi një projekt këtu dhe jemi shumë të lumtur për reagimin e ngrohtë ndaj projektit tonë. Kemi pasur takime shumë të mira, janë projekte të vështira dhe që duan shumë punë të realizohen, por kur bën film është sfidë për çdo gjë dhe për këdo”.

Ndërsa i pyetur për mundësitë që ofron Shqipëria për kineastët, D’Orzi shprehet se është i habitur dhe i lumtur njëkohësisht.

“Është hera e parë për mua në Shqipëri. Jam shumë i habitur dhe i lumtur. I habitur për profesionistët që zbulova këtu. E gjej Tiranën si një mundësi dhe vend të hapur për bashkëunime, mundësi dhe gjithashtu edhe për projektet. Jam i bindur se disa projekte mund të marrin pjesë denjësisht nëpër festivalet e kategorisë A, apo edhe për televizonet të ndryshme në Europë”.

MUNGESA E PRODUKSIONEVE PËR FËMIJËT

Nga ana e tij, producenti sllovak Vlado Zeleznak, i pranishëm në “Balkan Film Market” në Tiranë, e sheh këtë ngjarje të industrisë së filmit si vendin e duhur për të prezantuar disa projekte që lidhen me produksionet televizive dhe filmike dedikuar fëmijëve.

Vlado Zeleznak - Producent

Jam shumë i lumtur që ndjek edicionin e dytë të Balkan Film Market. Vij nga Sllovakia si producent i prodhimeve për fëmijë. Dëgjova për këtë market kur isha në Kanë dhe erdha këtu, së pari për të bërë takime dhe bashkëpunime të reja në Ballkan, sepse ne po përgatitemi të përgatisim një produksion origjinal për fëmijët, të cilin duam ta shtrijmë edhe në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit. Kjo është arsyeja kryesore pse erdha këtu, si dhe të promovoj një garë ndërkombëtare muzikore. Pas Balkan Film Market mund të them se pata takime shumë të frytshme me diskutime shumë të këndshme dhe kemi bërë bashkëpunime të reja. Është diçka shumë e fuqishme dhe e mirë për njerëzit nga industria e filmit të ndjekin markete dhe ngjarje të tilla të filmit, sepse mund të mblidhen me njëri-tjetrin dhe të njihen dhe të ndihmojnë në projektet e njëri-tjetrit”.

Zeleznak bën me dije se kompania e tij në Sllovaki është e fokusuar dhe prodhon kryesisht për fëmijët, duke krijuar produksione origjinale për këtë grupmoshë për 29 vjetësh.

“Unë personalisht i jam bashkuar kësaj industrie dhe produksioneve për fëmijë kur isha 5 vjeç. Fillova të punoj në televizionin kombëtar, ku për 14 vjet prodhuam suksesshëm një program televiziv për fëmijët. Mendoj se tani, jo vetëm në Sllovaki, por edhe në vende të tjera, prodhimet me përmbajtje për fëmijë mungojnë ose ka shumë pak, gjë për të cilën jemi të trishtuar. Ka një lloj opinioni se prodhimet për fëmijë nuk janë shumë të rëndësishme dhe duhet të ketë programe dhe spektakle të mëdhenj, por ne kemi vizion të ndryshëm, sepse mendojmë që fëmijët janë e ardhmja dhe duhet të ketë shumë programe të ndryshëm. Për këtë krijojmë gjëra të reja. Në Shqipëri duam të lançojmë një projekt të ri me bazë këtu për fëmijët e talentuar. Besoj do të organizohet së shpejti dhe për edicionin e parë, mendoj të fillojmë me dy-tri vende dhe më pas të bashkojmë gjithë Ballkanin. Shpresojmë të gjejmë mbështetje dhe kjo gjë të jetë gati vitin tjetër. Nëse fëmijët gjejnë mbështetje ata janë të motivuar. Në Shqipëri me sa di programet e tilla për fëmijët mungojnë”, thotë ai.

Zeleznak vëren se krahas këtij produksioni televiziv për fëmijët e talentuar, kompania e tij po përgatit edhe një film të metrazhit të gjatë për fëmijë, pjesë të të cilit kërkon të bëjë vendet e Ballkanit.

“Këta filma për momentin mungojnë në treg. Filmat origjinalë të metrazhit të gjatë për fëmijë janë diçka në minoritet në industrinë e filmit. Pata diskutime me miqtë tanë në këtë industri, që organizojnë Balkan Film Market dhe ata hapën një kategori vetëm për fëmijët. Kanë vështirësi të mblidhen filma për fëmijët në të gjithë Evropën, qoftë vetëm për t’i shfaqur.  Kjo kategori filmash mungon, nuk prodhohen dhe duhet të ndryshojë. Kompania jonë po prodhon një film artistik origjinal, të cilin duam ta bashkëprodhojmë edhe me shtete të tjerë, për ta bërë edhe një projekt më të madh. Duam të jetë gati vitin tjetër dhe kjo është një nga arsyet e tjera pse jam këtu.” Produenti sllovak flet edhe për një konkurs ndërkombëtar për muzikën në filma, projekt që ai e ka prezantuar gjatë “Balkan Film Market” në Tiranë, së bashku me dy projektet e mësipërm", thotë Zeleznak.

“Është një konkurs i ri ndërkombëtar muzikor, një projekt shumë i suksesshëm që është promovuar suksesshëm në Kanë dhe do të lançohet globalisht në tetor. Është një konkurs për muzikën në film dhe pjesë e të cilit janë autorët, kompozitorët në muzikën e filmave, sepse muzika është pjesë e pandarë e çdo filmi. Muzika është shumë e rëndësishme dhe ndonjëherë është 50 përqind e filmit. Ne do të kemi një gala të madhe, një event me juri ndërkombëtare dhe njerëz nga industria e filmit që do të vijnë në Sllovaki pas Berlinales, në mars, për të zgjedhur muzikën më të mirë në film. Mendojmë ta kthejmë në një event tradicional dhe ta bëjmë një ngjarje akoma më të madhe. Për vitin tjetër do të hapim një kategori edhe për muzikën në krjimet televizive në këtë industri”, shprehet Zeleznak.

GRATË NË BOTËN AUDIOVIZUALE

Një tjetër problematikë e prezantuar gjatë “Balkan Film Market” është edhe përfaqësimi i grave në industrinë e filmit dhe në botën audiovizuale.

RAFAELA RICA - Menaxhere e “Balkan Film Market”

ANDAMION MURATAJ - Drejtor i “Balkan Film Market”

Producentja franceze Lucette Legot e sheh nismën 50/50 apo 20/20 në kinematografi si diçka positive, që gratë të dëgjohen njëlloj si burrat.

“Nuk shtrohet çështja që kinemaja të udhëhiqet nga gratë. Por që gratë të kenë të njëjtin zë dhe të dëgjohen njëlloj si burrat. Jemi në demokraci dhe secili duhet të ketë zërin e tij dhe jo dikush të kontrollojë tjetrin apo anasjelltas. Kjo lëvizje është për të bërë kinema së bashku me burrat. Dhe kjo mund të sjellë projekte më të mira, botë më të hapur dhe histori të pasura, sepse gratë kanë pikëvështrim të ndryshëm dhe jam e sigurt se kombinimi i këtyre cilësive mund të rezultojë në histori të mira”thotë ajo.

Ndërsa për producentin François Margolin, ideja e përfshirjes së grave në kinema është shumë pozitive, por se është e pamundur dhe jo e drejtë që të zgjidhet të bëhet një film sepse është grua apo burrë.

"Mendoj se është e pamundur të zgjidhet një film sepse është grua apo është burrë. Nëse është film i mirë është i mirë, nëse është i keq, është i keq, qoftë nga një burrë apo nga një grua. Kështu funksionon në Francë, në Evropë apo SHBA. Është e vështirë të vendosësh për këtë gjë për të qenë në raportet 50 me 50 sikur është një veprim politik. Nuk jam i sigurt se është ide e mirë. Por është mirë nëse gratë janë më prezente, më të rëndësishme, sepse është normale, por të jetë normale nuk është të vendosësh raportin 50 me 50”, thotë Margolin.

Nga ana e saj, regjisorja Blerta Zeqiri sjell përvojën e angazhimit të grave në botën e filmit në Kosovë.

“STAN AWARD”, NJË ÇMIM NË NDERIM TË STAN DRAGOTIT

Përveç mundësimit të takimeve mes profesionistëve të fushës, BFM mundësoi edhe organizimin e disa workshopeve, siç është ai për zhvillimin e skenarit, “Albascript Plus”.

Në “Albascript Plus” të këtij viti morën pjesë 15 projekte skenarësh të filmave artistikë dhe pesë projekte skenarësh të filmave të shkurtër dhe në fund u zgjodhën dy projekte, një shkurtër dhe një i gjatë të nderuar me çmimin “Stan Award”, i krijuar për nder të regjisorit me origjinë shqiptar Stan Dragoti, që u nda nga jeta këtë vit.

Edicioni i dytë i Balkan Film Market shpalli fituesit edhe në seksionin “Pitch Balkan”, si dhe gjatë projekte, që do të financohen nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë përmes skemës së ‘minority co-production’.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy