
Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare Ksenofon Krisafi ka folur rreth debatit të fundit për negociatat mes Shqipërsië dhe Greqisë për çështjen e detit.
Në një intervistë për "TemA Tv", Krisafi shprehet se debati është i dobishëm, pasi ai i shërben për identifikimin e zgjidhjeve më optimale, në interes të vendit, të sotmes dhe të ardhmes së tij. Por ai e shikon si të drejtë shqetësimin e natyrshëm të çdo shqiptari në Shqipëri e jashtë saj, për ruajtjen e integritetit territorial të vendit, pasi rastet e cungimit të territoreve shqiptare më nismën ose me pëlqimin e vetë shqiptarëve antishqiptarë, brenda një shekulli, kanë nisur në vitin 1913.
Sipas Profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, negociatat nuk kanë filluar, sepse nuk mund të fillojnë pa u konstituar delegacioni dhe pa u pajisur ai me plotfuqinë e duhur nga autoriteti kompetent.
Gjatë intervistës së tij, Krisafi foli edhe për grupin negociator, ku deklaroi se njehë vetëm dy kolegët, juristët Qirjako Qirko dhe Armand Skapi, për të cilët kam mendime shumë pozitive, si specialistë të afirmuar në fushën e së drejtës ndërkombëtare si dhe personazhin i cili është më i përfoluri mediatikisht dhe politikisht, ushtarakun Artur Meçollari, i cili është prezantuar si njohës kompetent i çështjeve të fushës së vet.
Profesor Krisafi thekson se marrëveshja mund të ishte një zgjidhje e mirë, kur palët kanë predispozicion pozitiv. Sipas tij kalimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në Gjykatën për të drejtën e detit, në Hamburg, në Arbitrazhin ndërkombëtar ose në ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar, do të ishte gjithashtu një tjetër mënyrë zgjidhjeje.
Por Krisafi deklaron se ajo mund të realizohet vetëm kur të dyja palët bien dakord për t’iu drejtuar atyre nëpërmjet një kompromisi, ku përcaktohet objekti i mosmarrëveshjes dhe pyetjet të cilave institucioni përkatës do të duhet t’iu japë përgjigjen e duhur.
INTERVISTA E PLOTË
1. Si e gjykoni debatin e tanishëm mbi marrëveshjen e kufirit detar dhe platformës detare me Greqinë? Dhe sipas Jush, a janë të domosdoshme kërkesat e Presidentit të Republikës?
S’ka dyshim se debati është i dobishëm. Ai shërben për identifikimin e zgjidhjeve më optimale, në interes të vendit, të sotmes dhe të ardhmes së tij. Por ai dëshmon edhe shqetësimin e natyrshëm të çdo shqiptari në Shqipëri e jashtë saj, për ruajtjen e integritetit territorial të vendit. Shqetësimi është përcjellë nga disa ngjarje të kohëve të shkuara, kur trevat shqiptare shërbenin si monedha tregu për pazaret e fuqive të mëdha, gjatë konfigurimeve dhe rikonfigurimeve të hartës politike të rajonit e të Europës. Shqetësimi vjen edhe më i shumëfishuar sepse nuk kanë munguar rastet kur cungimet territoriale të vendit kanë ardhur si rezultat i akteve të tradhëtisë kombëtare nga ana e disa politikanëve që kanë uzurpuar kryet e vendit. Rastet e cungimit të territoreve shqiptare më nismën ose me pëlqimin e vetë shqiptarëve antishqiptarë, brenda një shekulli, kanë nisur në vitin 1913, kur Esat Pashë Toptani, për interesat e veta egoiste, tentoi t’iu shiste Shkodrën malazezve, fatmirësisht pa sukses. Sërish po ai, një vit e ca më pas u tregua i gatshëm, madje nënshkroi edhe marrëveshje me emisarët e Beogradit, për ta vënë krejt Shqipërinë nën Serbinë, vetëm që të merrte një fron të pavlerë, si sundimtar fiktiv i një vendi nën protektoratin e një shteti tjetër. Në vitin 1925, Ahmet Zogu i kaloi Jugosllavisë Shën Naumin dhe një pjesë të Vermoshit, si shpërblim për përkrahjen që mori për t’u rikthyer në pushtet, pas përmbysjes nga revolucioni demokratik i qershorit i vitit 1924 dhe largimit jashtë vendit duke u strehuar në Serbi. Po kjo ndodhi pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, kur një e ashtuquajtur asamble kushtetuese, “vendosi” t’i dhuronte Viktor Emanuelit të III, kurorën mbretërore shqiptare. Shefqet Vërlaci firmosi aktin e formalizimit fiktiv të pushtimit të vendit nga ushtritë italiane, më 7 prill të vitit 1939. Debati i tanishëm ka parasysh edhe atë çka ndodhi në vitin 2009, kur nëpërmjet një marrëveshjeje të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, qeveritarët e asaj kohe i ceduan shtetit fqinj 354.4 km² territor shqiptar. Pikërisht nga këto përvoja të hidhura, me të drejtë, forca të caktuara politike, studiues, intelektualë, ekspertë, njerëz të medias etj, kanë manifestuar vëmendje të veçantë.
Një tjetër motiv ka të bëjë me hipotezat që qarkullojnë në kushtet e një deficiti në informimin e publikut për ç’po ndodh, kush janë angazhuar në traktativa, cilat janë vlerat, integriteti i tyre intelektual e atdhetar, aftësitë profesionale etj. Sepse në të ashtuquajturat negociata të vitit 2009, u inskenua një spektakël qesharak. Brenda disa muajve u realizuan pak takime të ngushta politikanësh dhe së fundi me një takim formal, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të disa institucioneve, të përzgjedhur mbi bazën e kriterit të besnikërisë politike, u sanksionua cedimi i një hapësire detare.
Negociatat që do të startojnë pas takimit të deklaruar, në prillin e këtij viti, ndërmjet kryeministrave të Shqipërisë dhe të Greqisë, kanë si objekt një çështje që, sipas përcaktimeve të Kushtetutës së vendit, hyn në kompetencën e kreut të shtetit. Bëhet fjalë për përgatitjen e një marrëveshjeje ndërshtetërore që do të rregullojë probleme që lidhen me tërësinë territoriale të vendit. Jo vetëm kushtetutat e shteteve, por edhe aktet përkatëse të së drejtës ndërkombëtare, në rastin konkret, Konventa e Vjenës, e vitit 1969, “Për të drejtën e traktateve”, përcaktojnë se është ai që autorizon nisjen e bisedimeve dhe miraton delegacionin që do të zhvillojë bisedimet me palën tjetër. Në këtë optikë autorizimin për fillimin e negociatave, si dhe miratimin e nivelit dhe përbërjes së delegacionit dhe, kur t’i vijë dita, për nënshkrimin e marrëveshjes, do ta kryejë presidenti i vendit. Për ta realizuar këtë atribut konstitucional, për të gjykuar dhe marrë vendimin përkatës, atij i duhen të dhënat dhe informacionet përkatëse.
2. Për aq sa mund të gjykohet deri më tani nga informacioni mediatik dhe zyrtar, mund të jepni një mendim paraprak për negociatat? Çfarë duhej bërë më mirë dhe krahasimisht me vitin 2009 si e gjykoni pozitën e Shqipërisë?
Duke gjykuar nga informacioni mediatik dhe ai zyrtar si dhe duke njohur procedurat që duhen ndjekur në raste të kësaj natyre, mendoj se negociatat nuk kanë filluar, sepse nuk mund të fillojnë pa u konstituar delegacioni dhe pa u pajisur ai me plotfuqinë e duhur nga autoriteti kompetent. Tani së fundi doli në media projekti i përbërjes së delegacionit.
3. Në kuptim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Presidenti mund të bllokojë një negociatë të tillë? Nëse po, cila mund të jetë rrugëzgjidhja?
Për sa kohë që atributin e dhënies së autorizimit për lëshimin e plotfuqisë për negocimin dhe nënshkrimin e traktateve ndërkombëtare të këtij karakteri, kushtetuta dhe Konventa e Vjenës “Për të drejtën e traktateve”, ia njeh kryetarit të shtetit, vetkuptohet se është ai që duhet ta ushtrojë. Nuk mund të merret me mend që çështja të degradojë deri sa të diskutohet se ç’mund të bëhet nëse palët ngurtësohen në pozicione kundërshtuese.
4. Mund të jepni një mendim për emrat e personave të caktuar si negociatorë?
Prej tyre njoh vetëm dy kolegët e mi, juristët Qirjako Qirko dhe Armand Skapi, për të cilët kam mendime shumë pozitive, si specialistë të afirmuar në fushën e së drejtës ndërkombëtare. Njoh edhe ushtarakun Artur Meçollari, i cili është prezantuar si njohës kompetent i çështjeve të fushës së vet. Të tjerët, pa i paragjykuar për vlerat dhe aftësitë profesionale, kam përshtypjen se janë pjesë e delegacionit ex officcio, pëtr shkak të pozicionit që mbajnë në ministritë ose institucionet ku ndodhen.
5. Profesor, sipas jush një zgjedhje do të ishte më e mirë një marrëveshje e rinegociuar apo gjykimi i çështjes në gjykatën e Hagës? Nëse mund të bëhet një hipotezë si mund të ishte rezultati i një gjykimi ndërkombëtar për marrëveshjen e vitit 2009?
Marrëveshja mund të ishte një zgjidhje e mirë, kur palët kanë predispozicion pozitiv, zhvillojnë bisedime mbi bazën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit konstruktiv, duke respektuar normat dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, barazinë e palëve, respektimin e sovranitetit dhe tërësisë terrioriale, mosndërhyrjes në punët e brendshme, abstenimi nga veprimet mashtruese, presionet, kërcënimet etj. Kalimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në Gjykatën për të drejtën e detit, në Hamburg, në Arbitrazhin ndërkombëtar ose në ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar, do të ishte gjithashtu një tjetër mënyrë zgjidhjeje. Por ajo mund të realizohet vetëm kur të dyja palët bien dakord për t’iu drejtuar atyre nëpërmjet një kompromisi, ku përcaktohet objekti i mosmarrëveshjes dhe pyetjet të cilave institucioni përkatës do të duhet t’iu japë përgjigjen e duhur.
Përvoja e deritanishme e zgjidhjeve gjyqësore ose arbitrale është e pasur me rezultate nga më të ndryshmet. Shqipëria ka qenë disa herë përpara gjykatave ndërkombëtare. Në Dhomën Permanente të Drejtësisë Ndërkombëtare të Hagës, në kohën e Lidhjes së Kombeve, ajo ishte në vitin 1924 për çështjen e Manastirit të Shen Naumit dhe në vitin 1935, për çështjen e shkollave minoritare. Në rastin e parë pati një mendim këshillimor pozitiv, kurse në rastin e dytë u ngarkua me përgjegjësi. Ka qenë gjithashtu objekt gjykimi edhe në dy raste të tjera në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në vitet 1948-1949, për incidentin e Kanalit të Korfuzit, ku u ngarkua me përgjegjësi mbi bazën e provave dhe arsyetimeve hipotetike. Në vitin 1954, për çështjen e arit monetar shqiptar, ku nuk mori pjesë fare. Nisur nga përvojat e deritanishme edhe zgjidhja gjyqësore ose arbitrale mund të ishte një alternativë, por siç u tha do të duhej që të dyja palët t’i drejtoheshin institucioneve përkatëse.



