Një burrë është dënuar me një vit burg në Spanjë për goditjen me shpullë të gruas së tij në një transmetim live në rrjetin social TikTok, një vendim i rrallë duke qenë se e dëmtuara nuk kishte dashur të bënte denoncim.
Gjykata e qytetit të Soria në veri të Spanjës, konstatoi se i pandehuri ishte fajtor për keqtrajtim dhe dhunë ndaj grave.
Ngjarjet ndodhën natën mes 27 dhe 28 janarit në Soria. Ndërsa merrte pjesë në një “sfidë” të drejtpërdrejtë të TikTok me tre miq para një audiencë virtuale prej disa mijërash, një grua pësoi një shuplakë në fytyrë, aq e fortë sa të shihte kokën e saj të rrotullohej papritur dhe flokët i fluturonin.
Një veprim i tillë e përloti viktimën, nënvizoi gjykata në vendimin e saj.
I pandehuri në mënyrë publike dhe evidente në sy të mijëra njerëzve ka sulmuar bashkëshorten e tij me qëllim që t’ia lëndojë integritetin fizik dhe ta poshtërojë në publik, edhe nëse nuk ka shkaktuar lëndime bëhet fjalë për abuzim të drejtpërdrejtë.
Magjistrati që dha dënimin kujtoi se në krimet e dhunës gjinore viktima nuk ka nevojë të denoncohet dhe sanksioni mund të shqiptohet sapo të vihet në dijeni të fakteve.
Kjo shuplakë e thjeshtë direkte ka mjaftuar që autoritetet publike të zbatojnë protokollin për mbrojtjen e viktimës, pavarësisht nëse e njeh veten si të tillë apo jo dhe nëse e denoncon ose jo.
Për më tepër, fakti që viktima pranon shuplakën dhe e justifikon nuk e anulon dënimin, sepse në krimet e dhunës ndaj grave, si në të gjitha krimet që përfshijnë lëndime të rënda, pëlqimi i viktimës është i parëndësishëm dhe dënimi zbatohet në çdo rast.
Kjo sjellje meriton të dënohet sa më rëndë, pasi i pandehuri nuk është në gjendje të respektojë gruan e tij as në publik.
Gjykata e dënoi të pandehurin edhe me tre vjet qëndrimi larg nga viktima dhe ndalim të komunikimit me të, si dhe me tre vjet ndalim armëmbajtjeje.



