Privatizohen falas të gjitha banesat që kanë mbetur të papërfshira më parë. Ky process rregullohet me ligjin “PËR STREHIMIN SOCIAL”, I cili mori dirtën jershile në mbledhje e djeshme të qeverisë. Në projektligj janë përfshirë për privatizim edhe disa banesa/objekte të kthyera në fond banesa të lëna jashtë nga ligji aktual, siç janë:
a. banesat, që kanë qenë subjekt i ligjit nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” si dhe të ligjit nr. 9321, datë 25.11.2004 “Për privatizimin e banesave dhe objekteve të kthyera në banesa, të ndërtuara me fondet e shoqërive dhe të ndërmarrjeve shtetërore” të cilat nuk janë regjistruar në ZVRPP;
b. objektet që kanë mbetur të lira nga ristrukturimi i Forcave të Armatosura. Përjashtimisht për ushtarakët dhe ish-ushtarakët e Forcave të Armatosura, sipërfaqja mbi normat e strehimit, trajtohet njëlloj si sipërfaqja brenda normave të strehimit;
c. banesat dhe objektet e kthyera në fond banese me vendime të organeve të vetëqeverisjes vendore, ato që kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe ato që figurojnë ende në pronësi të shtetit, ku, me autorizime të dhëna nga organet kompetente, janë sistemuar me strehim banorët, përpara vitit 2004;
d. banesat dhe objektet e kthyera në fond banese, me vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat i kanë kaluar në administrim Entit Kombëtar të Banesave me qëllim privatizimin e tyre.
Gjithashtu, është parashikuar se banesat, e ndërtuara me fonde publike nga enti investues, të cilat, deri në fund të vitit 2007 rezultojnë me kontrata të palidhura dhe kanë kaluar në pronësi të organeve të vetëqeverisjes vendore ku ato ndodhen, do të përdoren në funksion të një prej programeve sociale të strehimit ose për privatizim nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në rastet kur këto banesa nuk kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, ato mbeten në pronësi të EKB-së dhe do të përdoren në funksion të një prej programeve sociale të strehimit ose për privatizim. Një tjetër rregullim është parashikuar edhe për banesat e ndërtuara për familjet e shpërngulura, për shkak të ndërtimit të veprave publike, të tilla si Hidrocentrali i Banjës, Hidrocentrali i Fierzës, të cilat ende figurojnë të pa privatizuara dhe se do të privatizohen falas me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse dhe sipas listës emërore që kanë trashëguar.
Projektligji parashikon edhe rregullimin e situatës së familjeve të shpërngulura për shkak të ndërtimit të veprave publike dhe të kategorive të tjera në pamundësi financiare, që kanë përfituar kredi nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, të cilave do t’ju falen detyrimet monetare, të rregulluara këto sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, një ndër çështjet, që ka gjetur një rregullim më të detajuar, është ajo për objektet e ndërtuara për familjet e shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës. Për këto familje, kalimi i së drejtës së pronësisë mbi objektin dhe truallin realizohet pa pagesë nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Këshilli i Ministrave përcakton, me vendim, procedurat dhe afatet që ndiqen nga ALUIZNI, për kalimin e së drejtës së pronësisë.
Banesat e ndërtuara me fonde publike nga enti investues, të cilat nuk janë pajisur me dokument pronësie, do të trajtohen sipas ligjit “Për legalizimin” nga ALUIZNI dhe regjistrohen në emër të entit investues. Pas regjistrimit, enti mund të ndjekë procedurat e privatizimit ose t`i përdorë në funksion të programeve sociale të strehimit.
Një risi tjetër e projektligjit, mbështetur edhe në kërkesën e institucionit të Avokatit të Popullit, është që njësitë e vetëqeverisjes vendore, deri në dy vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji, parashikojnë në programet sociale të strehimit, që jo më pak se 5 për qind e vendeve nga çdo program, për çdo vit, brenda kësaj periudhe të plotësohen nga familje të komunitetit rom dhe familje të komunitetit egjiptian. Me përfundimin e afatit të përcaktuar, ai do të rivlerësohet në përputhje me politikat qeveritare të përfshirjes sociale të këtyre komuniteteve. Familjet e komunitetit rom dhe atij egjiptian, konsiderohen si një kategori prioritare për trajtimin nga programet sociale të strehimit, për të gjitha kriteret e përparësitë e parashikuara në ligj, ose pikëzimet e vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në zbatim të këtij ligji, deri në dy vjet nga hyrja në fuqi e ligjit.



