Një person në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë italiane si pjesë e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, është vënë në prangat e policisë së Durrësit.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Sektori i Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Latitant”.
Gjatë operacionit, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar Erjon Meshi, alias Arjon Mema, 32 vjeç.
Gjykata e Trentos i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Mbajtje e paligjshme, shitje, prodhim, shpërndarje dhe trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.



