Një person ka mbetur i plagosur me thikë si pasojë e një sherri të ndodhur mëngjesin e sotëm në Gramsh.
Nga të dhënat paraprake mësohet se Andi Dragoti 36 vjeç banues në fshatin Nartë, është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
I dyshuar për ngjarjen është Feta Bezati 28 vjeç, banues në Gramsh, i cili është arrestuar nga policia.
Lidhur me rrethanat e ngjarjes hetimet janë në vijim, për të hedhur dritë mbi shkaqet e konfliktit të përfunduar në plagosje.
Policia tha zyrtarisht se:
Më datë 15.12.2022, në Gramsh, në një lokal, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi F. B., 28 vjeç, ka goditur me mjet prerës thikë, shtetasin A. D., 36 vjeç, banues në Gramsh, i cili është dërguar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e autorit. Brenda një kohe të shkurtër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Grmash kanë shoqëruar në Komisariat dhe kanë arrestuar autorin e plagosjes, shtetasin F. B., 28 vjeç, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes



