Akademiku Artan Fuga duke folur në MCN Live tha se zgjedhjet e 11 majit treguan se në Shqipëri nuk ka politikë.
Sipas Fugës, qeveria s’do jetë më nën presionin e Parlamentit me shumicën që ka.
“Këto zgjedhje me rezultatin e tyre treguan se në Shqipëri s’ka dhe s’mund të ketë politikë. Këto rezultate japin një të dhënë që në shkencat politike mund të përkufizohet në këtë mënyrë, që hapësira e politikës në shoqërinë shqiptare do ngushtohet edhe më shumë. Në Parlament shumica socialiste do ketë një dominimin të tillë, saqë asnjë aleancë paralementare tjetër, asnjë betejë parlamentare, s’mund ta vërë në diskutim vendimmarrjen e saj.
Fjala në Parlament, do të jetë një lojë fjalësh, një fjalë e zhveshur nga veprimi politik, nga pragmatizmi politik, do jetë ligjërim, jo sjellje, s’do sjellë pasoja politike. Qeveria s’do jetë më në presionin e Parlamentit me këtë shumicë që është krijuar dhe do marrë një pavarësi akoma më të madhe. Do kemi një qeverisje me 30 për qind të elektoratit.
Kemi një qeverisje të minorancës. Mund të përfaqësojë jo më shumë se 1/3 shqiptarë. Është fatkeqësi që në Shqipëri analiza bëhet në formën e opinioneve. Kemi përjashtimin e elektoratit nga politika. Kjo boshatisje e politikës nga qytetari në teoritë e sociologjisë duhet të vihet re në të gjithë sistemin.
Kemi një logjikë jo territoriale për herë të parë në shtetin shqiptar. Edhe shtete të tjera ftojnë diasporën, por me sistem tjetër. Kjo do të thotë detetorritorializim, që mund të jetë me pasoja të rënda”.



