Kreu i SPAK Altin Dumani, si dhe kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela kanë zhvilluar një takim me kryeprokuroren e Belgjikës Ann Fransen. Gazetari Besmir Pula në një raportim për edicionin e lajmeve në Mcn Tv bën me dije se takimi zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit kundër organizatave kriminale, pastrimit të parave dhe përdorimit të kriptomonedhave. Prokurorët diskutuan për koordinimin dhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta në hetime ndërkombëtare.
“Me aq sa ne jemi vënë në dijeni nga SPAK, bëhet fjalë për një takim ku kanë qenë pjesëmarrës drejtuesi i SPAK z.Altin Dumani, drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme z.Olsian Çela, por edhe drejtues të tjerë të prokurorive të tjera, të juridiksionit të përgjithshëm, të cilët kanë zhvilluar një vizitë në Bruksel, ku janë takuar me prokuroren e përgjithshme federale të Belgjikës Ann Fransen.
Është një takim i zhvilluar në dy data, 18-19 nëntor të këtij muaji. Sa i takon diskutimeve, bëhet fjalë për takim koordinues, në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve. Diskutimet janë fokusuar te çështjet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, hetimit financuar, pastrimit të produkteve të veprës penale, përdorimit të kriptomonedhave, koordinimin e hetimeve dhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore për aksione të shtrira në shkallë ndërkombëtare.
Janë trajtuar edhe çështje të ndihmës juridike, përfshi këtu ekzekutimin e vendimeve penale apo letër-porosive. Nisur nga fakti i organizatave kriminale që bashkëpunojnë mes tyre dhe pastrimit të parave, i është dashur vazhdimisht SPAK-ut që përmes letër-porosive të zbulojë edhe para që janë pastruar kryesisht në Shqipëri”.



