Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj, thotë se grupimi i fermerëve që nuk kanë aktivitet prodhues, ose janë mbajtur me remitancat ose me prodhimin e kopshteve të tyre, por ndodhen në një situatë të vështirë për shkak të rritjes së kostos së prodhimit.
Nga studio e MCN Live, ai deklaroi se problematika është reflektuar në një farë mënyre te paketa sociale, por shtoi se nuk i mbulon nevojat të gjitha, pasi ka pasur situatë të vështirë prej shumë kohësh.
Të gjitha çmimet e lëndëve të para janë rritur, çka shton kostot e fermerëve. Nuk ka paketë deri tani, për fermerët të cilët prodhojnë për treg dhe për eksport. Janë në situatë të vështirë, pasi duan të hedhin dozën e tretë të nitratit dhe uresë, që është e domosdoshme për prodhimin e grurit dhe drithrave dhe nëse nuk e hedhin, marrin 30 deri në 40% prodhim më pak. Nga 40 mijë lekë kuintali, ka shkuar në 100 mijë lekë. Fermerët janë në dilemë nëse do i harxhojnë paratë për urenë dhe nitratin dhe nëse do e shesin me çmimin që ka tani gruri. Duke pasur parasysh karburantin që është në këtë situatë dhe produktet e tjera, nuk mendoj se do të ketë ndryshim çmimi. Nxis fermerët të marrin dhe kredi që të mos e lënë pa hedhur dozën e uresë dhe nitratit. Është e domosdoshme që fermerët të shtojnë prodhimin, pasi do të fitojnë më tepër, nëse shtojnë prodhimin se sa duke e kufizuar. Frika çon në vendime të gabuara. Nuk është momenti për tu stepur për prodhimin bujqësor. I nxis të marrin naftën pa taksa, të prodhojnë me kosto të ulët, të punojnë tokën që dhe misri do të ketë të njëjtën ecuri në çmim, siç ka dhe gruri. Edhe në grurë edhe në misër do të kenë fitim, ndaj të mos stepen.
Nga ana tjetër ai kërkoi që të qëndrohet në krahë të fermerëve, pasi tha se është e rëndësishme që qeveria të ngrijë paketën fiskale e vitit 2022 për bujqësinë, për të cilën tha se është jodobiprurëse, as për buxhetin e shtetit dhe as për fermerët dhe se ndikon negativisht në këtë moment.
Rrapaj deklaroi se nëse u rrit me 10% tarifa e TVSH për imputet, u pa që në janar ishte një import jashtëzakonisht i vogël, pasi stepja e importit ka bërë që të rritet çmimi dhe njëkohësisht bllokohen disa para në buxhetin e shtetit.
Nuk është momenti që ti bllokojmë këto para në buxhet, por duhet t'i disbursojmë në dobi të fermerëve, në mënyrë që ta dinë që dhe shteti është në krahë të fermerëve. Paketa fiskale e vitit 2022 do të ndikojë negativisht edhe te prodhuesi edhe te buxheti i shtetit. Shqipëria ka pasur 669 mijë hektarë tokë në ‘90-ën. Toka është parcelizuar nga ndërtimet ne punojmë 420 mijë hektarë. Në censusin e 2011, rezultoi rreth 210 mijë hektarë. Kemi parcelizuar tokën në 1.8 milionë parcela, si askush tjetër në botë. Të ardhurat nga toka janë 1.2 milionë euro për 1 mijë hektarë, kur Izraeli e ka 4-5 herë më shumë, në një tokë që është shumë më pak prodhuese. Shumë fermerë e kanë lënë tokën djerrë për shumë arsye, por edhe për kosto. Një ndër instrumentet për të ulur koston është nafta. Fermerët harxhojnë 50 milionë litra naftë në vit, bashkë me peshkimin rreth 100 milionë eutro në vit. Nëse do të përdornim naftën e vendit dhe do të ishte në punë uzina, situata do të ishte ndryshe. Sot ka plot justifikime se nafta jonë nuk është e mirë për bujqësinë, atëherë me çfarë kemi punuar në 30 vite? Po më përpara si ka qenë iu them? Ky është justifikim i padrejtë.



