
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka ftuar Perëndimin të kontribuojë në riaktivizimin e paktit që i dha mundësinë grurit ukrainas të eksportohej nga vendi i origjinës nëpërmjet një korridori të sigurt në Detin e Zi.
“Edhe Perëndimi duhet të bëjë pjesën e tij”, tha Erdogan, siç raporton Presidenca e Republikës së Turqisë, duke bërë të ditur se do t'i kërkojë homologut të tij rus, Vladimir Putin, të rrisë sasinë e grurit, 1 milion ton, që Moska ka njoftuar se do ta dërgojë në Turqi dhe më pas në vendet në zhvillim.
Javën e kaluar, Putin përmendi një plan për të dërguar grurë rus në vendet në zhvillim me ndihmën e Turqisë dhe Katarit.
Erdogan u deklarua pro planit, por gjithashtu nënvizoi se kjo ide nuk mund të jetë një alternativë ndaj paktit mes Kievit, Moskës, Ankarasë dhe OKB-së që kishte lejuar eksportin e grurit nga Ukraina dhe që përfundoi pas daljes së Rusisë në korrik.



