Nuk do të ketë armëpushim për të lejuar që ndihma humanitare të arrijë në Gaza.
Zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar që të jetë arritur një marrëveshje për armëpushimin e ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas rihapjes së kalimit Rafah, në mënyrë që të lejohet mbërritja e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
“Aktualisht nuk ka armëpushim për ndihmën humanitare në Rripin e Gazës dhe për daljen e të huajve”, thuhej në një shënim të shkurtër nga zyra e Netanyahut.
“Ne goditëm Hamasin, goditëm infrastrukturën e tij dhe gjurmojmë komandantët e tij. Ne kategorikisht nuk po përpiqemi të godasim civilët”, deklaroi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Jonathan Conricus në një përditësim mbi konfliktin Izrael-Hamas.
Ai mohoi që ushtria po përpiqet të shënjestrojë objektiva civile. Ndërkohë, mbi 600 mijë persona në Gaza i janë përgjigjur thirrjes së autoriteteve izraelite për të lënë veriun dhe për t’u zhvendosur në jug të Rripit në funksion të sulmit të mundshëm.
Sakaq kalimi Rafah midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës është rihapur, njoftoi transmetuesi al-Arabiya, duke shpjeguar se mbi njëqind kamionë janë rreshtuar për të ofruar ndihma për miliona palestinezë të rrethuar gjatë armëpushimit të përkohshëm.
Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e huaj që ndodhen në Rripin e Gazës do të lejohen të largohen nga enklava palestineze.



