
Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur "Merkata e Rusit", në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi Naim Bajri, 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi Astrit Zeneli, 58 vjeç.
Gazetarja Bendis Druni sjell të tjera detaje për MCN Live, lidhur me ngjarjen e rëndë që ka tronditur mëngjesin e sotëm Shkodrën.
Ajo shprehet se Bajri ka qenë duke konsumuar kafen e mëngjesit pranë dyqanit të tij në lagjen Rus, ndërsa sipas dëshmive të para, mësohet se ai ka qenë një person i qetë dhe nuk rezulton i përfshirë në ngjarje të mëparshme kriminale.
68-vjeçari është pjesë e fisit të njohur Bajri, me emra të shumtë të përfolur dhe të skeduar nga policia. Kujtojmë se në vitin 2001 atij i kanë vrarë të birin, Indrit Bajri, por paraprakisht mendohet se këto ngjarje nuk lidhen me njëra-tjetrën.
Forca të shumta policie dhe prokurori i Shkodrës kanë mbërritur në vendngjarje dhe po vijojnë punën për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të këtij atentati.
Disa minuta pas vrasjes, policia ka gjetur edhe një automjet të djegur në një tjetër lagje të Shkodrës, që mendohet se u përket autorëve.
Pas atentatit ndaj Naim Bajrit, forcat RENEA mbërritën në Shkodër dhe kanë nisur kontrollet në kërkim të autorëve të ngjarjes që tronditi qytetin në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.



