
Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho thotë se protesta e pasdites së sotme te inceneratori i Tiranës, është një protestë paqësore e cila bëhet për një çështje që ka kryefjalë, luftën kundër korrupsionit, duke folur për një aferë me përmasa deri botërore.
Për studion e lajmeve të MCN TV, Nesho tha se në protestë thirren qytetarët e interesuar që duan të dinë ku shkojnë paratë e tyre, te vendi i krimit.
Sipas tij, vendi i krimit është vetë popullsia e Shqipërisë e abuzuar nga një regjim që nuk ngopet duke u pasuruar me pasurinë e popullit të tij.
Nuk do ketë flamuj të partive politike, është protestë qytetare. Jemi për filozofinë që protestat të jenë të përditshme dhe njerëzit të mos kenë frikë të protestojnë.
Kjo është protestë e popullit, ne e kemi marrë këtë iniciativë se ky ka qenë flamuri i Partisë së Lirisë në luftën kundër korrupsionit dhe duam të tregojmë se me këto para mund të ishin ndërtuar 100 shkolla në Tiranë, 50 spitale, shtëpi për të pastrehët, por këto janë abuzuar, pa ditur destinacion.
Nuk do të ketë akte dhune, do të jetë me një pjesëmarrje ku përfaqësuesit e shoqërisë civile kryesisht dhe politikanë që e kanë ndjekur këtë aferë për një kohë të gjatë do të mbajnë fjalën e tyre.
Do të ketë pjesëmarrje nga i gjithë fronti opozitar. Kjo është protestë që nuk e pranon dhunën. Dhuna është kryer tashmë ndaj një populli të tërë dhe nuk mund të përsërisim atë që ka bërë qeveria ndaj popullit të saj.
Do të vijnë vetëm ata që e ndjejnë si duhet të protestojnë edhe nga rrethet. Revolta qytetare është e ndërgjegjësuar nga njerëzit. Ky regjim nuk mund të ketë një të ardhme në politikën shqiptar, se politika duhet ti rikthehet popullit nëpërmjet një llogaridhënie të plotë.
Ka shumë pjesëmarrës që do vijnë pa ndonjë organizim, por nga dëshira do të ketë pjesëmarrje nga të gjitha rrethet. Ajo që ka rëndësi për Partinë e Lirisë, është ballafaqimi i parë i qeverisë me skenën e krimit.
I pyetur se përse nuk janë bërë ftesa për partitë opozitare, deklaroi se kjo do të thotë se fronti opozitar është i bashkuar dhe se prej aferës preken të gjithë qytetarët dhe se kjo vjen nga ndërgjegjësimi i opinionit shqiptar, për të cilin tha se ka arritur një fazë, ku njerëzit duan të protestojnë.
Nesho shtoi se për çdo qytetar shqiptar është e qartë se kjo është një aferë kryekëput korruptive që paratë e qytetarëve kanë shkuar deri në majën e kupolës qeverisëse dhe se janë shkelur të gjitha rregullat administrativo-shtetërore.
Tërë opozita i ka pasur në fokus inceneratorët, PPP-të, abuzimet me tenderat, portin e Durrësit. Opozita e ka bërë detyrën e saj dhe njerëzit e kanë kuptuar se në çfarë pozitash korruptive qëndron qeveria.
Opozita dhe të gjithë partitë e opozitës janë parti të popullit dhe të gjithë janë të ndërgegjësuar se duhet të jemi aktiv dhe nuk mund të fshihemi.
Ne duhet të kemi guxim se jemi pikërisht ne që duhet të ndryshojmë shtetin shqiptar dhe të mos bashkëjetojmë me krimin dhe të keqen që ka zënë këtë vend.
Qëllimi i protestave është largimi sa më parë i qeverisë, vendi nuk përfiton asgjë prej saj. Qeveria ka treguar se nuk është e aftë të administrojë dhe është qeveri korruptive që ka kapur shtetin, shteti është në kufijtë e rrëshqitjes nga demokracia dhe në prag të vendosjes së qeverisë Putiniste në rajon.
Protestat do të jenë të vazhdueshme ne kemi kalendarët dhe qytetarët, të cilët propozojnë që të kemi protesta çdo ditë. Protestat do të përshkallëzohen gradualisht, por kjo është hapja e sezonit të lirisë.
Për ta kthyer Shqipërinë si gjithë Europa! Ne nuk jemi Europë, jemi katandisur gjithmonë keq e më keq gjatë këtij regjimi. Mendoj se protestat do të sjellin rezultate, pasi ka arritur pika kritike.
Këtu është luftë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, po e mbyllëm gojën në këto momente, e ardhmja e Shqipërisë do të jetë një diktaturë e re.
Lidhur me sulmet kibernetike ndaj vendit tonë, tha se tregon se sa joefiçente është kjo qeveri për të përgatitur popullin ndaj sulmeve të tilla.
Ne në Shqipëri nuk kemi parë që qeveria të angazhohet me Këshillin e Sigurisë. Qeveria është përpjekur që të mbulojë problemin, jo ta zgjidhë.
Tregon se është e paaftë dhe ka ardhur koha që ti lërë vendin një qeverie të përgjegjshme.



