
Në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos në MCN TV, kompozitori Osman Mula foli për karrierën e tij, momentet më të bukura dhe më të vështira.
Ai u kthye pas në kohë duke thënë se nuk mund të bësh as festival as film artistik, nëse nuk ke klimën pozitive dhe kujtoi se ai ka punuar me regjisorë dhe kompozitor ndër më të njohurit në Shqipëri.
“Gjëja më e mirë në jetë, janë festivalet e këngës në RTSH dhe koncerti i vitit të ri. Më vështirë ka qenë të bëje koncertin e Vitit të Ri se sa festivalin e Këngës. Koncerti i Vitit të Ri është 6 orë program, në ato orë, ishte problemi i humorit. Për të kaluar kunatin e shokut Xhemal u desh një javë, atë e konfirmoi drejtori i RTSH, Marash Hajati. Me zor qeshnin me humorin, sepse druheshin se çfarë do të ndodhte sipër. Kur servirej në dorë të kontrollit, servirej si një pjatë që priste vlerësim. Probleme ka pasur me materialet e Koço Devoles. Kemi luajtur me jetën se në datën 2-3 janar, dilte ‘Zëri i Popullit’ dhe thuheshin përshtypjet për koncertin e Vitit të Ri dhe një gjë të mos pëlqehej, nisnin mbledhjet për masat që duheshin marrë. Koncerti i Vitit të Ri u furnizua nga, Leka Bungo, Koço Devole, Haxhi Rama, etj., materiale njëra më e mirë se tjetra. Ata ishin në kuzhinë që përgatisnim dhe ne dilnim e shfaqnim. Si pendë dhe si interpretues më i mirë ka qenë Koço Devole, të tjerët kanë qenë aktorë”, u shpreh Mula.
Lidhur me situatën e sotme të humorit, ai tha se ka momente banale të cilat shkaktojnë humor.
Sipas tij, sot ka aktorë të mrekullueshëm model, çuna dhe vajza të talentuar, por konsumi i tyre është i jashtëzakonshëm.
Në këtë linjë shtoi se të bësh variete për çdo javë është shumë e vështirë.
“Trupat me 100 punonjës dikur kanë bërë një shfaqje në 3 muaj. S’mund të bësh humor çdo javë, se nuk ke penda. Vjen një moment që thua nuk e ndjek më, sepse s’mund të japësh gjithë kohës njësoj. Sot banaliteti dhe politizimi e ka lodh këtë punë, sa dhe aktori nuk e do. Por e përjavshmja e kërkon këtë punë”, tha Osman Mula.
Në vijim tha se në këtë moment do e kishte pranuar një ofertë për të drejtuar një variete.
“Do të kisha gjetur materialet, trupën, orkestrën, këngëtar dhe do kisha bërë këtë 10 javësh siç bëra me Gjergj Lekën, “Kthehem të dielën” në TVSH në 2007, kur Top Channel bënte ligjin”, tha ndër të tjera.
Sipas tij, duhet të dalësh në ballafaqim kur e sheh veten të plotë.



