Në studion e MCN Informacion, Afrovita Dhimojani, anëtare e Këshillit Bashkiak të Himarës, dhe Renaldo Xhani, drejtor Turizmi në Bashkinë Lezhë, diskutuan në lidhje me masat që janë marrë për sezonin turistik.
Në Lezhë, sipas Xhanit, 65% e turistëve janë shqiptarë të Kosovës. Ndërsa në Himarë, Dhimojani tha se mungesa e infrastrukturës e bën të vështirë që të ofrohet turizëm elitar.
Lezhë
Bashkia e Lezhës i ka nisur përgatitjet që në janar. Ne kemi bashkëpunim me biznesin. Fituam një çmim të parë në Poloni dhe kjo ndikoi edhe te krijimi i paketave. Para çdo sezoni turistik, ne mbledhim operatorët për të hartuar plane. Kemi pastruar territorin, bizneset kanë qenë bashkëpunuese. Bashkia e Lezhës e ka në fokus pastërtinë. Kemi hartuar një plan për mbetjet, duke përcaktuar orare për hedhjen e mbeturinave. Kemi bashkëpunim të mirë me agjencitë në Kosovë. Duam ta bëjmë Lezhën kryeqendër të turizmit bregdetar në veri.
Ka pasur vonesa për aplikimin e subjekteve. Bashkia Lezhë pothuajse i ka kryer të gjitha plan-vendosjet. I ka kthyer për AKB. Pritet për pak ditë të lidhen kontratat. Ka biznese që kanë kontrata disavjeçare dhe e kanë nisur me kohë ofrimin e shërbimeve.
Nuk e shoh Lezhën të shtrenjtë, çmimet janë ato të viteve të mëparshme. Po ruhet klientela, ka çmime të arsyeshme për akomodim, me 7-8 euro ha një pjatë që në Malin e Zi e paguan 20 euro. Vijnë kryesisht shqiptarë të Kosovës, rreth 65%. Pjesa tjetër italianë, polakë. Këta të fundit kanë blerë edhe apartamente në bregdet.
Shqiptarët e Kosovës kanë hapur edhe restorantet e veta këtu. Ndikon afërsia, marrin edhe të afërmit e tyre kur vijnë.
Dhimojani
Problematika e parë është infrastruktura. Nuk mund të pretendojmë turizëm elitar. Nis nga infrastruktura, hapësira publike. Ne në Këshill na vijnë shpesh rregullore. Problemi është te zbatimi. Infrastruktura penalizon turizmin. Ujësjellësi, kanalizimet, janë problem në zonën e Himarës. Ka ndodhur që sot ujësjellësi nuk menaxhohet nga Bashkia e Himarës. Për shkak të disa ujësjellësve që kanë pasur probleme me borxhet, ujësjellësi i Vlorës është bashkuar me Selenicën. Sot jemi në kushtet kur problemet që kemi me furnizimin me ujë, qytetarët i drejtohen bashkisë. Edhe ne i drejtohemi Vlorës për të zgjidhur këtë problem.
Himara ka turizmin më elitar në Shqipëri. Jemi vend i kontradiktave të mëdha dhe shërbimeve të mëdha. Cilësia çmim-shërbim është në standardet e duhura. Besoj që Himara do ta mbajë këtë ritëm. Bizneset kryesisht në Himarë kanë për qëllim të japin shërbime. Janë biznese familjare që ushqejnë familje. Janë të kujdesshëm me çmimin, që ai të jetë në raport me cilësinë që ofrojnë. Himara do të mbetet destinacion i kërkuar. Kemi një numër të madh turistësh të huaj, vijnë nga e tërë bota. Bashkia ka një buxhet 85 milionë euro dhe do të duhej të ishin bërë përgatitje. Akoma në qendër të Himarës nuk ka ndriçim. Janë investime elementare që duhej të ishin bërë me kohë.



