Kreu i PD Lulzim Basha reagon menjëherë pas ultimatumit të kryeministrit Rama i cili tha se nga e enjtja e ardhshme, mbajtja e maskës do jetë e detyrueshme kudo, përveç në shtëpi. Sipas Bashës, qytetarët nuk kanë para për të blerë maska, ndërsa qeveria paguan për inceneratorët.
Basha nxori live faturën e Thesarit të Shtetit që tregon sipas tij se për katër ditë, javën e kaluar, qeveria ka paguar 2 milion euro për inceneratorët.
“Kollaj tu thuash qytetarëve mbani maska, por maska do para për tu blerë. Me çfarë do ta blejnë maskën qytetarët. Por si shkon mendja për ta. Ja për kë i ka paguar Rama lekët. Është tabelë e pagesave të thesarit, e javës që kaloi. Në 4 ditë u paguan 2 milion euro për inceneratorët. 1.8 milion për inceneratorin e Fierit dhe 250 mijë euro për inceneratorin e Tiranës.
Shkoni në Fier dhe shikoni ku është inceneratori. Për atë mynxyrë janë paguar 24 milion euro, për dicka që as ekziston dhe as funksionon”, tha Basha.
Më tej, kreu i PD u shpreh se trajtimi i Covid në shtëpi i kushton një të prekuri 1.5 milion lek të vjetra. Plani i PD tha ai parashikon rimbursim të këtyre parave. “Trajtimi i një pacienti kushton 1.5 milion lekë të vjetra. Ku do ti gjejnë paratë të infekturit që kanë humbur vendin e punës. Ku do ti gjejnë gjithë ato para pensionistët. Ne në planin tonë kemi propozuar rimburësim të këtyre shpenzimeve”, shtoi Lulzim Basha.
Basha tha se qeveria po vazhdon të vjedhë, si asnjë qeveri tjetër në planet. Kryedemokrati i lëshoi thirrjen e fundit kryeministrit Edi Rama për të zbatuar 5 pikat e planit të PD, në të kundërt tha ai, kur PD të vijë në pushtet, e pret përgjegjësia penale.
“Qeveria vazhdon të marrë borxh, por paratë nuk i çon tek njerëzit. Lekët e parave tuaja ia jep inceneratorëve. Kompania e përfolur merr një tender për rrugën Korçë-Leskovik me një kosto 5 mln euro kilometri. Rama dhe qeveria po shpenzojnë miliona për t’i ndarë me oligarkët. Paratë janë, por paratë po vidhen. Kriza aktuale nuk përballohet me llafe, gërr-vërre dhe gënjeshtra. Konferenca për shtyp apo theatro të dalë mode. I kam propozuar nga pensionistët, tek mësuesit në shkolla e deri tek biznesi. Ky nuk bën asgjë, nuk anulon asnjë koncesion. Është e vetmja qeveri në botë që edhe në situatën e tërmetit nuk ndalon vjedhjen. U ngrit bota për të na ndihmuar, këta nuk ndalojnë vjedhjen. Shqiptarët janë në çadra, janë akoma në çadra, pa asnjë ndihmë as ushqimore prej muajsh. I jam drejtuar me civilitet këto 2 javë, ndërsa sot i them se moszbatimi i këtij e ngarkon Ramën dhe ministrat e tij me përgjegjësi jo vetëm politike, por edhe penale. Se çdo dëm në shëndet dhe jetë, nuk do të jetë vetëm dëm tek qytetarët, përgjegjësi politike tek këta që kemi edhe 6 muaj në krye të vendit, do të ketë përgjegjësi. Ti vërë gishtin kokës, të zbatojë 5 pikat, ti ndryshojë emrat, fjalët e ngjyrat nuk ka pikën e rëndësisë për mua dhe të realizojë planin. Cdo vend po mëson nga gabimet ndërsa ky po vjedh sikur e nesërmja nuk do të vijë më”, tha Basha.



