Ish-kryeministri Sali Berisha, thotë se zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit nuk ishin në nivel ndërpartiak, por elektoral.
Ai tha se çdo deputet ka jo vetëm të drejtën por detyrën e tij që të lexojë mesazhin e qytetarëve dhe të marrë vendimin që i takon.
Gjithçka ka ndodhur në kundërshtim me interesat e shqiptarëve këto vite. Bllokimi i procesit të integrimit, largimi masiv i shqiptarëve, rritja me 3-4 herë e varfërisë ekstreme, rritja me 47% e varfërisë në përgjithësi. Rritja e çmimeve dhe mos rritja e rrogave. Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët, dhunimin e votës. I bëj thirrje çdo shqiptari që të kthejë vëmendjen tek vota e lirë. Vota e lirë është dinjitet, si kusht për të çliruar të gjitha energjitë krijuese të një vendi të lirë.
Berisha shtoi më tej se Lulzim Basha ka injoruar veten e tij dhe është injoruar nga shqiptarët, “Ndaj le ta lëmë në fatin e tij”.
Sipas tij, zgjedhjet e 6 marsit u zhvilluan në kushte të jashtëzakonshme për vendin.
Vetëm në katër javë, logoja jonë, arriti të dominojë nga 70% e elektoratit shqiptar të djathtë, krahasuar me logon tradicionale të rrëmbyer dhe të marrë peng nga Edi Rama dhe Lulzim Basha. Gara ishte më e pazakonta, raporti i mbështetjes mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, ishte ky që tregoi 6 marsi. I kundërt ishte raporti, kur vinte puna te logot. Opozita e vërtetë dominoi mbi fraksionin brava-vula.
Berisha shprehu nderimin për votuesit e 6 marsit, por edhe respekt për skeptikët, duke thënë se nuk janë përgjegjës për asgjë, por se në 7 mars, mendimet e para të tij, kanë qenë se si të punohet që këta demokratë, të binden që të bashkohen në betejën e ardhshme në zgjedhjet lokale pas një viti. Po ashtu tha se do të garojë për pozicionin e kryetarit të PD, me kushte të barabarta dhe në rast se garantohet një gjë e tillë, do e pranojë rezultatin, cilido qoftë ai.
Ai përshëndeti qëndrimet e deputetëve demokratë të cilët kërkuan dorëheqjen e Lulzim Bashës, por tha se për një vendim të tillë nuk e lejojnë.
Lul Brava nuk i merr kurrë këto vendime, sepse nuk e lejojnë. Unë i ftoj ata të bashkohen me elektoratin e tyre, të bashkohen me PD, të kontribuojnë në konsolidimin e saj.



