
Ministrat e Jashtëm dhe për Çështjet Europiane nisën sot takimin në Luksemburg për të vijuar me përgatitjet për mbledhjen e Këshillit Europian që pritet të marrë vendim në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ata do të përpilojnë një draft-konkluzionet që do miratohen brenda tri ditëve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ministrja e Jashtme e Finlandës, Tytti Tuppurainen theksoi përpara hyrjes në takim, se “duhet t’i përgjigjemi vendeve të Ballkanit”.
“I mbështesim negociatat, të dëgjojmë edhe të tjerët. Ti përgjigjemi përkushtimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pres një sinjal të BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ajo.
Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok paraqiti rezerva.
“Një hap i rëndësishëm që duhet ndërmarrë nga Maqedonia e Veriut është ligji për Prokurime Publike. Në lidhje me Shqipërinë mendojmë se ka ende shumë punë për të bërë dhe nuk është gati për hapjen e negociatave”, tha ai.
Një sinjal refuzues dha edhe homologia e tij e Francës.
"Në parim Franca nuk e kundërshton perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE. E dimë që ky është një proces i lodhshëm, i gjatë, por më parë duhet të sigurohemi që reformat e marra përsipër të jenë reale, të besueshme, për t'i dhënë besim si rajonit, edhe Europës," u shpreh ministrja, Amelie de Montchalin.
Gjermania si edhe më herët apeloi homologët e tij europianë të marrin një pozicion më konstruktiv për Tiranën dhe Shkupin, pavarësisht rezervave.
"Bashkimi Europian ka përgjegjësi për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe pajtimin në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo do të thotë që duhet të mbajmë premtimet e dhëna," deklaroi ministri gjerman për Europën, Michale Roth.
Kryediplomati në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, e ka cilësuar takimin historik, pasi pritet të vulosë fatin e Shqipërisë por edhe të vlerësojë vendin për reformat më ambicioze dhe kurajoze të të gjithë rajonit.
Komisionieri për Zgjerimin, Johannes Hahn e ka cilësuar si test për besueshmërinë e Bashkimit Europian mbledhjen e sotme të ministrave të jashtëm të vendeve të BE në Luksemburg, ku diskutohet hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hahn shpreson se në fund do të ketë dritë jeshile për negociatat e cila sipas tij është e merituar.



