Dita e sotme shënon një vit nga tërmeti tragjik që ndodhi në vendin tonë, më 26 nëntor 2019. Pasojat e tërmetit me magnitutë 6.4 të shkallës rihter, ishin mjaft të rënda, ndërsa u shënuan 51 viktima dhe mijëra të tjerë mbetën të plagosur.
Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale në dhe shembi qindra banesa, duke lënë kështu pa strehë shumë familje, kryesisht në Thumanë dhe në Durrësit. Po ashtum, ky tërmet la pasoja edhe në qytetin e Lezhës dhe Kurbinit, ku edhe aty shumë banorë vuajnë përsa i përket jetesës në çadra deri në rindërtimin e banesës që iu shkatërrua si pasojë e tërmetit.
Sot një vit më pas, pasojat e lëna nga tërmeti ende nuk janë “fshehur”, ndërsa qindra familje vijojnë të jetojnë në çadra.
Vetëm në qytetin e Durrësit u shënuan 23 viktima, ku tragjedia më e madhe ishte në familjen Lala, ku rrënojat zunë poshtë 9 anëtarët e familjes, nga të cilët tetë nuk arritën të nxirreshin të gjallë, por fatmirësisht shpëtoi nga grupet e shpëtimit djali 19-vjeçar. Prokuroria ka mbyllur hetimet për ndërtimet që shënuan viktima duke dërguar dosjen për gjykim me 16 të pandehur, ndërsa vijojnë hetimet për objektet e tjera në të cilat nuk pati pasoja në njerëz por vetëm dëme materiale.



