Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka votuar sot për kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër të Qeverisë së re.
Kjo është bërë e ditur nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili përmes një letre ka falënderuar anëtarët e këtij Këshilli.
Mustafa tutje ka shtuar se nga 124 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm janë përgjigjur 117, 115 prej tyre kanë votuar për kurse dy janë shprehur kundër.
“Në bazë të kësaj, si kryetar i LDK-së konstatoj se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që Avdullah Hoti ta përcaktojë kandidat për kryeministër të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Mustafës.
Ndërkohë Kryesia e LDK-së pritet këto ditë të mblidhet për ndarjen e ministrive që do të marrin këtë mandat.
Këtë e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi pas votimit të Këshillit të Përgjithshëm për emrin e mandatarit.
“Besoj se ditëve në vijim do të thërrasim Kryesinë për të folur për emrat e ministrave. Synojmë të mbajmë 15 ministri, po bisedojmë për ndarjen e dikastereve”, tha Abrashi.
Abrashi po ashtu ka thënë se sot kanë filluar negociatat me partitë tjera derisa ka thënë se nuk dihet se kush do të jenë ministrat e ri nga LDK.
Ndërkohë dje është konfirmuar që AAK ka kërkuar katër ministri, ku si emra të mundshëm janë përmendur Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj, Blerim Kuçi, Selim Selimi dhe Ramë Likaj.



