Deputetja demokrate Jorida Tabaku, për marrëveshjen e firmosur me Italinë për të pritur në Shqipëri 36 mijë emigrantë, duke ngritur një kamp refugjatësh, kërkon që të bëhet transparencë dhe se kjo është kërkesa e opozitës.
Në një lidhje për edicionin e lajmeve të MCN TV, Tabaku deklaroi se çështja e emigracionit nuk zgjidhet me kampet, por në vendin e origjinës.
Besoj se Shqipëria dhe Italia kanë marrëdhënie të veçantë si vende, por në një moment kur Shqipëria ndodhet në procesin e integrimit dhe duhet të kemi më shumë kontroll mbi kufirin tonë, qeveria shqiptare angazhohet në një marrëveshje që shton problemet, si për trafikun e drogës dhe emigrantëve.
Nuk kemi qartësi për atë që do ndodhë përveç deklaratave mediatike.
Çështja e migracionit kërkon qëndrim nga BE, më duket e padrejtë që Italia ia ka kërkuar Shqipërisë diçka të tillë dhe të heqë nga kurrizi i saj.
Aktet e humanizmit Shqipëria ka vende dhe mënyra të tjera për t’i realizuar.
Është e vërtetë që Italia ka qenë nga mbështetësit më të rëndësishëm në çështjen e integrimit, por nuk mund të transferojmë probleme që nuk lidhen me Shqipërinë.
Sa i takon progres-raportit të Komisionit Europian i cili ka kritikuar pengimin e komisioneve hetimore parlamentare nga mazhoranca socialiste dhe arsyen pse opozita nuk e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese, deputetja demokrate tha se raporti i referohet dy komisioneve hetimore, por se janë kërkuar në total 8 komisione hetimore.
Pa asnjë logjikë juridike dhe kushtetuese, refuzimi është cenim i së drejtës së opozitës. Është e drejta kushtetuese e opozitës, ne kemi dërguar komisionin hetimor për investimet strategjike dhe nuk ka marrë ende një vendim në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetuesja ka marrë një vendim kuadër për komisionet hetimore që ia njeh të drejtën opozitës të ngrejë komisione dhe qeveria ka të drejtë të diskutojë mbi objektin, jo ta rrëzoj në parim.
Ndër të tjera Tabaku tha se progres-raporti vlerëson luftën ndaj korrupsionit në të njëjtin nivel si vitin e kaluar, por përveç hetimit të çështjeve kërkon edhe gjykimin dhe dhënien e dënimeve.
Sipas saj, ka një mospërputhje mes hetimeve të SPAK dhe perceptimit publik dhe është problem korrupsioni në fakt.



