
Ish-komandantit të forcave serbe në Bosnjë-Hercegovinë, Ratko Mladic, i është konfirmuar dënimi me burgim të përjetshëm për krimet e kryera në vitet e ’90-a në Bosnje e Hercegovinë.
Apeli i Tribunalit të Hagës e shpalli fajtor Mladiqin për terrorizëm të popullsisë civile dhe gjenocidin në Srebrenicë, ku gjatë vitit 1995 ishin masakruar mbi 8000 burra e djelmosha myslimanë.
Ai ka humbur apelin. Kryetarja e trupit gjykues, Prisca Matimba Nyamba deklaroi se Mlladiç nuk ka mundur të rrëzojë akuzat për krime.
Është dënuar për gjenocid, persekutim, shfarosje, vrasje- krim ndaj njerëzimit, vrasje- krime të luftës, deportim, dëbime, terrorizim të qytetarëve të Sarajevës, sulme mbi civilët, pengmarrje.
Ratko Mladic qau gjatë vendimit final ku u shpall fajtor për kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.

Mladic është shpallur fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës, njëjtë si në shkallën e parë, katër vjet më parë.
Mladic nuk është dënuar vetëm për pikën e parë të aktakuzës që ka të bëjë me gjenocid në gjashtë komuna: Prijedor, Sanski Most, Kotor Varosh, Kluç, Vlasenici dhe Foçë.

Mladic, para katër vjetësh, qe dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës. Por, si mbrojtja ashtu edhe prokuroria u ankuan, duke çuar lëndën në shkallën e dytë.
Ratko Mladic u arrestua më 26 maj 2011 në Serbi, pas 16 vjetësh duke i ikur drejtësisë.



