
Mbledhja plenare e radhës e Këshillit të Lartë të Prokurorisë përmes platformës on-line është mbajtur sot në prani të gjithë anëtarëve dhe vëzhgueseve të misioneve ndërkombëtare OPDAT dhe EURALIUS duke marrë edhe vendime për lëvizje të magjistratëve.
Këshilli miratoi përcaktimin e përkohshëm të znj. Rozeta Qirjaqi aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë si drejtuese të institucionit. Ndërsa prokurori në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër Julian Çafka, është emëruar gjithashtu drejtues i këtij institucioni. Prokurorja Ollga Visi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, është caktuar pranë Gjykatës së Apelit. Përkohësisht deri më 21.08.2020, si drejtuese e Prokurorisë së Pogradecit ështe vendosur Dorina Bejko.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli miratoi projekt-aktin “ Për miratimin e lejes së pa paguar për arsye familjare për prokuroren Miranda Bushi, e cila ushtron detyrën në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Këshilli vlerësoi se është e mjaftueshme 2 muaj leje e pa paguar nga data 22.05.2020 – 21.07.2020 deri në paraqitjen në detyrë.



