
Një ngjarje e rëndë është shënuar në Bosnje-Hercegovinë mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Sipas raportimeve të mediave atje tetë të rinj kanë humbur jetën nga asfiksimi.
Personat në fjalë ishin nga 18-20 vjeç, ndërsa ishin mbledhur së bashku për të festuar në fshatin Tribistivo, komuna e Posushje. Sipas burimeve tragjedia ndodhi për shkak të asfiksimit nga gazi, ndërsa ata ishin gjimnazistë dhe studentë.
Komisioneri i policisë i Kantonit të Hercegovinës perëndimore, Millan Galliç, tha për televizionin N1 se policia ndodhet në terren dhe se hetimet janë duke vazhduar.
“Sipas të gjitha gjasave, bëhet fjalë për asfiksi”, tha Galliç, për të shtuar se informacionet e tjera do të jenë në dispozicion pas kryerjes së hetimeve.
Qeveria e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës shpalli 4 janarin ditë zi në këtë entitet.
Zyrtarët e Bosnjës, përfshirë anëtarët e Presidencës, Zhelko Komshiç dhe Shefik Xhaferoviç, u shprehën ngushëllime familjarëve.



