
Fatmir Laçej nga Dhoma e Noterëve tha përmes një lidhje “Skype” me studion e emisionit “MCN Economy” se shumë tarifa për shërbime të ndryshme noteriale duhet të ndryshohen në kuadër të rritjes së kostove.
Duke vijuar më tej, Laçej theksoi noterët nuk kanë lëvizur asnjë tarifë nga ato që janë përcaktuar në udhëzimin e dy ministrive.
Çdo noter i ka të publikuara tarifat, të shpallura në zyrën e tij dhe qytetari ka të drejtën e vet ashtu siç edhe noteri ka detyrimin që t’i paraqesë këto tarifa para qytetarëve që ata më pas të zgjedhin dhe të kryejnë veprime noteriale.
Ndërkohë që tarifat kanë ndryshuar shumë, në të gjitha drejtimet, për të gjitha profesionet e lira, e aq më tepër tani që bëhet fjalë dhe për tatimin e profesioneve të lira nga 15 në 23%, noterët nuk kanë lëvizur asnjë tarifë. Ata i përmbahen me rigorozitet tarifave të përcaktuara nga dy ministritë në udhëzimin e tyre të përbashkët.
Ka mjaft tarifa që kanë nevojë edhe për ndonjë rishikim në kuadër dhe të rritjes së kostove që tashmë dihet që kanë ndryshuar, duke filluar nga infrastruktura, qiratë dhe materialet që përdoren për redaktimin e një akti noterial, duke vijuar me letrën bojën.
Një deklaratë prindërore për lëvizjen e një fëmije është vetëm 500 lekë, apo një prokurë për marrjen e pensionit është 500 lekë, ndërkohë që në shumicën dërrmuese këta pensionistë janë në gjendje të vështirë fizike e mentale dhe noteri duhet të shkojë pranë shtëpive të tyre.



