
Këngëtari i muzikës popullore, Fjoralb Dedja, dhe klarinetisti/saksafonisti Bruno Purbollari, ishin të ftuarit e programit të mëngjesit "Zgjohu me MCN" në ditën e fundit të vitit 2025.
Ata erdhën në studio për një rrëfim të ngrohtë dhe festiv, duke folur për karrierën e tyre muzikore dhe bashkëpunimet mes tyre gjatë këtyre viteve.
Fjoralb Dedja:
Ky vit ka qenë një vit i mbarë për ne. Megjithatë, situata ka qenë e vështirë për disa sektorë dhe ndoshta nuk ka pasur sukses të madh në disa biznese, por gjithsesi, falë Zotit, ka qenë një vit i mirë për ne.Krahasuar me vitin e kaluar, ndoshta ka qenë pak më poshtë, por në përgjithësi, mund të them se jemi rritur dhe kemi ecur përpara.
Ne kemi 15 vjet që punojmë së bashku, që nga shkolla dhe Akademia e Arteve, dhe jemi miq para se të jemi kolegë.
Kemi performuar kudo, përveç Shqipërisë së Mesme, dhe jemi mësuar me një atmosferë pozitive dhe mbështetje të madhe, veçanërisht në qytetet veriore si Shkodra, ku publiku është shumë i hapur dhe i gatshëm të pranojë çdo lloj muzike.
Bruno Purbollari:
Po, na ka ecur mirë deri tani. Kemi kaluar shumë momente të bukura bashkë, dhe kemi kujtime të paharrueshme.Ndërkohë, një nga më të bukurat është kur e ndjejmë duartrokitjet e publikut, që na japin forcë dhe motivim për të vazhduar.
Për datën 31 dhjetor, kemi vendosur ta kalojmë paraditen me ju, dhe jemi shumë të lumtur që po i themi lamtumirë këtij viti me kaq shumë gëzim.



